BE-ja i kujton Kurtit dhe Osmanit: Kosova s’ka qeveri funksionale që nga shkurti, mungesa e institucioneve po pengon heqjen e masave
Bashkimi Evropian po e sheh mungesën e institucioneve funksionale në Kosovë si një nga pengesat kryesore për ecjen e vendit drejt integrimeve evropiane dhe për procesin e heqjes së masave ndëshkuese që mbeten ende në fuqi. Në një konferencë të mbajtur në Bruksel për zgjerimin e BE-së, drejtori i përgjithshëm për Zgjerim në Komisionin Evropian,…
Lajme
Bashkimi Evropian po e sheh mungesën e institucioneve funksionale në Kosovë si një nga pengesat kryesore për ecjen e vendit drejt integrimeve evropiane dhe për procesin e heqjes së masave ndëshkuese që mbeten ende në fuqi.
Në një konferencë të mbajtur në Bruksel për zgjerimin e BE-së, drejtori i përgjithshëm për Zgjerim në Komisionin Evropian, Gert Jan Koopman, ka theksuar se Kosova që nga muaji shkurt është pa qeveri funksionale. Ai e krahasoi situatën me vendet fqinje si Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilat, sipas tij, janë tërësisht të përqendruara në proceset e integrimit evropian.
“Këshilla ime për vendin është që të përqendrohet në këtë drejtim, sepse nëse nuk është plotësisht i angazhuar, është e vështirë të ecet përpara. Ne, në Komision, jemi në proces të heqjes së masave pas një diskutimi shumë të vështirë në Këshillin e BE-së vitin e kaluar. Ne do të ishim të gatshëm, natyrisht, të përgatisim një mendim mbi aplikimin për anëtarësim të Kosovës, por për këtë Këshilli duhet të na ftojë dhe mendoj se duhet të ketë një reflektim edhe në Kosovë pse Këshilli nuk po e bën këtë gjë”, ka deklaruar Koopman, raporton RTK, transmeton lajmi.net.
Në anën tjetër, ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, ka kundërshtuar vlerësimin se vendi është pa qeveri, duke theksuar se ekzekutivi aktual ndonëse me mandat të kufizuar, vazhdon të funksionojë. Ai tha se masat e BE-së nuk ishin pasojë e ndonjë regresi demokratik në Kosovë, por rezultat i një situate të veçantë në veri të vendit.
“Këto masa nuk ishin përgjigje ndaj ndonjë regresi të Kosovës në proceset demokratike. Duhet t’ua kujtoj të gjithëve se këto masa erdhën pas një situate të veçantë në veri, e cila, nga perspektiva jonë, kishte të bënte me zbatimin e sundimit të ligjit dhe sigurimin që institucionet po ruajnë rendin kushtetues”, ka theksuar Bajrami.
Ndërkohë, disa ditë më parë Bashkimi Evropian konfirmoi se zhvillimi pa probleme i zgjedhjeve lokale në Kosovë është parë si një sinjal pozitiv drejt heqjes së masave. Megjithatë, mesazhi kryesor nga Brukseli mbetet i qartë: vetëm pas bartjes së pushtetit lokal do të merret në konsideratë vazhdimi i procesit të heqjes së plotë të masave.
Për momentin, BE-ja ka larguar vetëm disa masa simbolike, ndërsa Kosova mbetet nën vëzhgim të afërt për stabilitet institucional dhe respektim të rendit demokratik./lajmi.net/