BE-ja dhuron 8 kamionë për mbledhjen e mbeturinave në veri të Mitrovicës

Bashkimi Evropian i ka dhuruar veriut të Mitrovicës 8 kamionë për mbledhjen e mbeturinave. Ky donacion kap vlerën e700 mijë eurove e që është pjesë e projektit për menaxhimin e mbeturinave që financohet nga BE.

Lajme

07/06/2021 13:49

Në ceremoninë e dorëzimit të tetë kamionëve për mbledhjen e mbeturinave, kompanisë NP “Standard”në veri të Mitrovicës, mori pjesë edhe përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Me këtë rast Szunyog, tha se BE-ja ka ndërmarr obligim serioz në zgjidhjen e kërcënimeve ekologjike dhe degradimit të marrëveshjes së gjelbër e cila i takon agjendës së gjelbër të rajonit të Ballkanit perëndimor.

Ambasadori i BE-së potencoi bashkëpunimin e ngushtë në mes të Zyrës së BE-së në Kosovë dhe komunave veriore të Kosovës, me qëllim të identifikimit të problemeve të shumta dhe ndër vite sa i përket çështjes së mbeturinave.

Ai përveç donacionit të kamionëve, përmendi edhe ndërtimin e deponive, pastaj numrin e konsiderueshëm të kontejnerëve dhe të ngjashme, si mbështetje të BE-së ndaj këtyre komunave veriore.

“Kemi pasur bashkëpunim të ngushtë me komunat veriore në mënyrë që të identifikojmë dhe zgjidhim disa probleme që ekzistojnë ndër vite. Sa i përket mbeturinave dhe besoj se angazhimet tona tani kanë filluar të tregojnë rezultate. Qëllimi ynë kryesor i këtij takimi është që komunave zyrtarisht t’ua dorëzojmë tetë kamionë të ri për mbledhjen e mbeturinave, nga të cilat disa janë të parkuara këtu. Po shpresoj se këta kamionë tashmë veç po përdoren për qëllime të mira[…]Përveç kësaj, angazhimi ynë kryesor ka qenë ndërtimi i deponisë së re në ‘Savina stena’ të komunës së Zveçanit. Ky projekt ka disa vonesa të caktuara, por synojmë që ta hapim shumë shpejtë[…]Kemi kryer poashtu dërgesën e mbi 880 kontejnerëve për mbeturina dhe do të financojmë vendet e reja për mbledhjen e mbeturinave”, ka thënë Szunyog.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës, Goran Rakiq, u shpreh i bindur se ky donacion është vetëm fillimi dhe se muajt në vazhdim pret mbështetjen e BE-së edhe në fusha tjera.

“Para katër vitesh kemi filluar një bashkëpunim, rezultati I të cilit sot është I dukshëm. Pikërisht këtu prapa nesh kemi tetë kamionë të ri për mbledhjen e mbeturinave dhe kjo nuk është e tëra. Shpresoj se javët ose muajt në vijim do të hapim deponinë regjionale e cila përgjithmonë, respektivisht për dekada të tëra do ta zgjidhë problemin e trajtimit të mbeturinave në veri”, theksoi Rakiq.