BE ende pa datë të re për takimin e komisionit për të pagjeturit
Komisioni për të pagjeturit u themelua, por Bashkimi Evropian po dështon t’i ulë ballë për ballë përfaqësues nga Kosova e Serbia, për t’i dhënë një epilog kësaj çështjeje. Takimi i parë i cili ishte thirrur më 15 të këtij muaji, u bojkotua nga pala serbe. E BE-ja ende nuk ka vendosur se kur do…
Lajme
Komisioni për të pagjeturit u themelua, por Bashkimi Evropian po dështon t’i ulë ballë për ballë përfaqësues nga Kosova e Serbia, për t’i dhënë një epilog kësaj çështjeje.
Takimi i parë i cili ishte thirrur më 15 të këtij muaji, u bojkotua nga pala serbe.
E BE-ja ende nuk ka vendosur se kur do të provojë sërish ta mbledhë këtë komision.
“Nuk kemi asnjë informacion shtesë për takimin e radhës pasi Lajçak duhet ta organizojë një gjë të tillë. Në bazë të termave të referencës, takimi duhet të mbahet çdo muaj. Por, siç u pa herën e fundit, dyshoj që pa ndërhyrjen e BE-së mund të ketë takim aktualisht”, ka thënë për RTK-në, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti.
Nga Këshilli i Familjarëve të Pagjeturve kanë fajësuar Serbinë për mosbashkëpunim.
Ne e dimë që kemi bisedime me një shtet të papërshtatshëm. Dihet që gjithherë ka qenë neglizhentë me marrjen e çështjes së të pagjeturve. Kjo është një çështje humanitare, por Serbia e futi në proces politik, që është jashtëzakonisht i dëmshëm. Është bërë diçka sa për të thënë se po i caktojmë datat, por rezultate nuk ka pasur”, tha Ahmet Grajqevci, kryetar i Këshillit të Familjarëve të Pagjeturve.
I dërguari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, kishte deklaruar më 15 janar se takimi i komisionit për të pagjeturit ishte paraparë të mbahej në nivel zëvendësish, por që kishte dështuar pasi pala serbe nuk kishte pranuar të merrte pjesë në takim.
Lajçak pati konfirmuar se ishte takuar veç e veç me të dyja palët, me ç`rast ajo kosovare i kishte paraqitur prioritetet e saj.
Tani nuk dihet nëse Lajçak do të mund arrijë t’i mbledhë deri më 31 janar të dyja palët, apo takimi i radhës do të mund të mbahet nën ndërmjetësimin e emisarit të ri, Peter Sorensen.