BBC: Rama njeri dinamik, me një personalitet të fortë

Në profilin për Shqipërinë, rrjeti prestigjioz britanik “BBC” ka bërë një përmbledhje të zhvillimeve politike dhe ekonomike në Shqipëri pas rënies së komunizmit. Profilit të Shqipërisë nuk i ka munguar pikëpamja mbi takimin e kryeministrit Edi Rama me homologun serb, Aleksandër Vuçiç.

Lajme

15/11/2014 23:48

“BBC” e cilëson vizitën e shefit të qeverisë shqiptare si “historike”, ndërsa rivendosjen e urave të bashkëpunimit me Beogradin, si një nga sfidat më të mëdha të Shqipërisë në politikën e jashtme. “Vizita e Kryeministrit Rama në Beograd, një mundësi historike për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve, por që nuk i shpëtuan dot tensioneve sa i përket çështjes së Kosovës. Në frontin e politikës së jashtme, një prej sfidave më të mëdha me të cilat ai përballet është rivendosja e urave të bashkëpunimit me Beogradin”, thuhet në vëzhgimin e “BBC”-së. 

Sipas analizës, Shqipëria ka shenja të progresit ekonomik, ku sfidë mbetet mbajtja nën kontroll e inflacionit. “Shqipëria është shndërruar në një ekonomi tregu. Bujqësia është një sektor i rëndësishëm dhe një vend punësimi i madh. Miëpo, vendi është larg nga standardet e Evropës Perëndimore, ku në 2013-n borxhi publik arriti në 60 për qind të PPB-së”, thuhet më tej. 

Analiza ndalet edhe tek zgjedhjet, ku theksohet se Partia Socialiste mori një fitore dërrmuese në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës, duke i dhënë fund 8 viteve të qeverisjes demokrate. Ndërsa Kryeministri Rama cilësohet si një folës i mirë i gjuhës angleze, frënge dhe italiane, si një njeri dinamik, me një personalitet të fortë. 

Analiza ndalet edhe tek aspirata e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. “Shqipëria aplikoi për statusin e vendit kandidat në BE në vitin 2009 dhe e mori statusin në qershor të vitit 2014”, thuhet në analizë. Në këtë kontekst, “BBC” nënvizon reformat e kërkuara nga BE-së të cilat kanë në qendër luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, i cili “mbetet një nga problemet më të mëdha që ka Shqipëria”.