BB mbështetë përpjekjet e Kosovës për përforcimin e sigurisë kibernetike

Banka Botërore është duke e ndihmuar përforcimin e sigurisë kibernetike në Kosovë përmes pilotimit të një vlerësimi për ngritjen e kapaciteteve, që ka për qëllim identifikimin e vrimave të sigurisë kibernetike.

Lajme

25/06/2015 18:08

Ekspertët e saj kanë bashkëpunuar ngushtë me Qeverinë dhe institucionet tjera përgjegjëse në rishikimin e politikë-bërjes, kornizave ligjore dhe rregulluese, për edukim dhe trajnime si dhe miratimin e standardeve dhe teknologjive ndërkombëtare për siguri kibernetike.

“Varësia e rritur nga interneti, si burim i informatave dhe si një instrument menaxhues, krijon mundësi të pafundme por gjithashtu bartë edhe rreziqe të reja”, tha Jan-Peter Olters, Manaxher i Bankës Botërore në Kosovë.

Banka Botërore dhe Qendra Globale për Kapacitetet e Sigurisë Kibernetike pranë Universitetit të Oksfordit kanë bashkëpunuar rreth shkëmbimit të njohurive për sigurinë kibernetike dhe ngritjes të kapaciteteve. Në shkurt 2015, një grup studiuesish nga Universiteti i Oksfordit vizituan Prishtinën për të intervistuar një numër të hisedarëve qeveritar dhe jo-qeveritar me qëllim që të përpilojnë raportin vlerësues të Modelit të Pjekurisë së Kapacitetit të Sigurisë Kibernetike dhe rekomandimet e tij.

Banka Botërore e mbështetë agjendën e Kosovës për siguri kibernetike si pjesë e një programi pune të telekomunikimeve.

Programi ka filluar në qershor 2014 me një grant të Institucionit Këshillues për Investime në Infrastrukturë Publiko-Private (PPIAF) që i ofron Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës dhe shërbimit energjetik KOSTT SH.A. mbështetje këshilluese për infrastrukturën e përbashkët. Fondi i Trustit Korean për Zhvillim të Gjelbër ka siguruar mjete shtesë për zgjerimin e lidhjeve të internetit broadband, i cili nuk ofrohet mjaftueshëm në komuna, e cila pritet të krijojë një platformë për një zhvillim më të gjelbër.