Bayerni s’është favorit

17:04 | 22 Prill 2014

Robben në aksion

Arjen Robben insiston se Bayerni nuk është favorit për ta fituar Ligën e Kampionëve sivjet. Mesfushori holandez mendon se gjiganti bavarez do të ketë punë mjaft të vështirë ndaj Realit në gjysmëfinale.

Mesfushori i Bayern Munichut, Arjen Robben thotë se ekipi i tij nuk mund të konsiderohet favorit për ta fituar Ligën e Kampionëve, derisa gjiganti bavarez po bëhet gati për përballjen me Real Madridit.

Kampioni aktual evropian do të tentojë atë që e bëri dy vjet më parë, kur e eliminoi në gjysmëfinale gjigantin spanjoll pas penalltive, por këtë radhë ‘Los Blancos’ janë më të fortë.

“Ata i kanë lojtarët më të mirë. Nëse e ke një periudhë prej 10 minutash që nuk shkon asgjë, mund t’i pësosh tre gola”, deklaroi futbollisti holandez për magazinën gjermane, Kicker.

“Ne nuk jemi më favoritë. Natyrisht, duam ta fitojmë Ligën e Kampionëve përsëri, por jemi në gjysmëfinale dhe gjithçka mund të ndodh. Reali është kundërshtari më i fortë që mund ta kishim”, përfundoi Robben.