Bayern ‘vjedh’ Luizin nga Barcelona

Bayern Munich mund t’i prish punë Barcelonës pas njoftimeve se gjiganti bavarez është i interesuar për transferimin e mbrojtësit të Chelseas, David Luiz, objektiv afatgjatë i klubit nga Camp Nou.

Sport

15/05/2014 09:53

Bayern Munich është paraqitur si favorit për të siguruar shërbimet e mbrojtësit të Chelseas, David Luiz.

27-vjeçari pritet të largohet nga Stamford Bridge gjatë afatit kalimtar të verës dhe spekulohet se mund të përfundojë në Allianz Arena, ka njoftuar tabloidi britanik Daily Mail.

Barcelona besohet të jetë klubi i tij i preferuar por gjiganti katalan nuk ka gjetur marrëveshje me Chelsean, dhe disa anëtarë të stafit teknik nga Nou Camp janë të pavendosur nëse Luiz do të duhej të ishte prioritet për repartin defanziv.

Në ndërkohë, trajneri i Bayernit, Pep Guardiola është i interesuar për brazilianin. Palët mund të fillojnë bisedimet pas Kampionatit botëror pasi selektori i Brazilit, Luiz Felipe Scolari nuk dëshiron që futbollistët e tij të hyjnë në garë të shqetësuar nga spekulimet e afatit kalimtar.

Kur Barcelona e kërkoi Luizin, Chelsea u përgjigj se ai kushton 35 milionë euro, ndërsa Bayern thuhet se është i gatshëm të ofrojë rreth 25 milionë funte për shërbimet e mbrojtësit.