Basri Sejdiun pret që brenda tetë ditëve të kthehet si drejtor në QKUK

Basri Sejdiu mund të rikthehet në krye të Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Lajme

05/10/2020 17:30

Kjo pritet të ndodhë pasi që Inspektorati i Punës, me vendimin e shkallës së dytë ka hedhur poshtë si të pabazuar ankesën e Bordit Drejtues të SHSKUK-së të bërë ndaj vendimit të shkallës së parë të këtij inspektorati për rikthimin në punës të Basri Sejdiut.

Pas shkarkimit nga pozita e drejtorit të SHSKUK-së, Basri Sejdiu kishte veshur mantelin e bardhë dhe i ishte rikthyer kardiologjisë invazive në QKUK, por është Inspektorati i Punës ai që ka vendosur që Sejdiu duhet të rikthehet në pozitën e drejtorit.

Me vendimin e shkallës së dytë, Inspektorati i ka dhënë tetë ditë afat bordit të SHSKUK-së që ta rikthejnë Sejdiun në pozitën e drejtorit.

“Shkalla e dytë është formë e prerë e ekzekutueshme brenda tetë ditëve dhe nëse nuk ekzekutohet pasojnë gjobat për anëtarët e bordit. Unë shpresoj që është konfirmuar nga të dy shkallët shkelja e ligjit dhe një shkarkim i paligjshëm i cili pati ndodhur në formë të paprecedent pa paralajmërim. Kam qenë takim në qeveri ata kanë marrë një vendim, dhe tani shkalla e dytë i anulon të gjitha vendimet për njollosjen e kësaj pozite gjegjësisht të emrit tim”, deklaroi për RTV Dukagjinin Basri Sejdiu.

Sejdiu tha se brenda javës pret të kthehet në pozitën e drejtorit të SHSKUK-së.

RTV Dukagjini ka kontaktuar ushtruesin e detyrës së drejtorit të SHSKUK-së Valbon Krasniqi i cili ka thënë se për këtë çështje duhet të prononcohet bordi, ndërsa kryesuesi i bordit të SHSKUK-së Xhevat Jakupi nuk i është përgjigjur pyetjeve të televizionit.