Bashkohet opozita, opsion rrëzimi i qeverisë
Opozita dëshiron me çdo kusht zgjedhje në qershor. LDK, AAK e VV konsiderojnë se mund të rrëzohet qeverisja aktuale. Nëse Kuvendi nuk shpërbëhet, partitë opozitare thonë të kenë gati mocionin për rrëzimin e qeverisë.

Lajme
Gjatë kësaj pritet që liderët e opozitës të harmonizojnë qëndrimet e tyre rreth shpërbërjes së Kuvendit. Këtë e pohoi, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.
Nëse kjo nuk arrihet, LDK ka si opsion mocionin për rrëzimin e Qeverisë, raporton RTK.
“Ne së pari kërkojmë të zbatohet një agjendë për të cilën kemi biseduar të shpërbërjes së parlamentit, nëse ka vullnet dhe gatishmëri. Nëse ky variant apo kjo formë nuk kalon, ne kalojmë në tjetrin variant, që është po ashtu mocioni”.
AAK do mbështes të gjitha nismat në Kuvend që çojnë në rrëzimin e Qeverisë, tha shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini.
“Nuk kemi asnjë dilemë. Do ta mbështesim edhe mocionin dhe do ta mbështesim edhe një mocion për shpërbërje të Kuvendit. Ne nuk do të sillemi në atë mënyrë që të shkojmë kundër, vetëm për shkak se dy partitë e tjera nuk e kanë mbështet mocionin tonë për shkarkim të Qeverisë. Shpresoj që tash dy partitë e tjera, janë duke e kuptuar sa e rëndësishme ka qenë shkarkimi i Qeverisë në shkurt, kur ne kemi kërkuar”.
Për Vetëvendosjen mocioni do të ishte rruga më e drejtë për rrëzimin e qeverisë.
Shefi i grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se përmes mocionit do të ndëshkoheshin edhe politikat e qeverisjes e cila qeverisje e ka sjell vendin deri në këtë gjendje.
“Konsiderojmë që një mocion i rrëzimit të qeverisë është mënyra më e mirë drejt zgjedhjeve, në anën tjerët është po aq e rëndësishme arsyeja pse po e rrëzojmë këtë qeveri sepse ajo nuk duhet të rrëzohet vetëm pse i ka humbur numrat në qeveri por njëkohësisht t’i ndëshkojmë edhe politikat qeveritare të cilat e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje”.