Bashkimi Europian i vë kushte Serbisë

Në dokumentet e BE’së, të cilat duhet të përmbushen nga Serbia, kërkohet normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Çështja e normalizimit të marrëdhënieve, përfshin një kapitull të tërë në këto dokumente.

Lajme

20/01/2014 13:42

Serbia do të nisë të martën një fazë të re në rrugën e saj të integrimeve europiane.

Me organizimin e konferencës ndërqeveritare, zyrtarisht do të nisin negociatat për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian.

Rruga të cilën duhet ta ndjekë Serbia gjatë këtyre negociatave përcaktohet në tre dokumente themelore, të cilët do të prezantohen nesër në konferencën ndërqeveritare.

Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovë paraqitet si kriter në dokumentin e parë.

Në gjashtë faqet këtij dokumentit, ku përfshihen 18-pikë, ndër të tjera, theksohet se kjo është një ngjarje historike, dhe se Serbia e ka arritur shkallën e nevojshme të përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit, veçanërisht duke përmbushur një prioritet kyç duke ndërmarrë hapa konkret drejt një përmirësimi të dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Kosovën, raporton RTS.

Në këtë dokument kërkohet normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe në fund të këtij procesi, të nënshkruhet edhe një dokument lidhur me këtë çështje.

Kërkohet edhe përparim në vlerësimin e kritereve themelore të Kopenhagës, të cilat përcaktojnë stabilitet të institucioneve që garantojnë sundim të ligjit, ekzistimi i ekonomisë funksionale të tregut dhe aftësinë për të përmbushur detyrimet e anëtarësimit, dhe në fund të fundit, arritjen e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Serbia duhet që të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura nëpërmjet dialogut dhe të respektojë në plotësi të gjitha principet për një bashkëpunim aktiv rajonal.

Në këto dokumente gjithashtu kërkohet zbatimi të gjitha kërkesave që janë në kapitujt që lidhen me gjyqësorin dhe sundimin e ligjit, lirinë e lëvizjes, por edhe kapitullin e 35 i cili përcakton normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Shtetet anëtare që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, kanë arritur që në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, çështja e Kosovës të diskutohet vetëm brenda këtij kapitulli.

Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajncak, ka thënë se çështja e marrëdhënieve me Kosovën, nuk është më çështje e përgjithshme.

“Pas ndryshimit të projekt-kornizës së negociatave, çështja e marrëdhënieve me Kosovën nuk ishte më horizontalisht e lidhur me të gjithë procesin e negociatave për anëtarësim”, ka thënë Lajncak.