Bashkësia Islame apel institucioneve që sa më parë të zbardhin rrethanat e vrasjes së Muhamed Likës
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka dënuar ashpër vrasjen e rreshterit policor, Muhamed Lika në Kaçanik. Për këtë qëllim në ligjëratën e mbajtur si çdo të premte para besimtarëve myslimanë, imamët fetarë kanë thënë se zëri i ligjit dhe i drejtësisë duhet të jetë më i fortë se çdo përpjekje tjetër, thuhet në njoftimin e…

Lajme
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka dënuar ashpër vrasjen e rreshterit policor, Muhamed Lika në Kaçanik.
Për këtë qëllim në ligjëratën e mbajtur si çdo të premte para besimtarëve myslimanë, imamët fetarë kanë thënë se zëri i ligjit dhe i drejtësisë duhet të jetë më i fortë se çdo përpjekje tjetër, thuhet në njoftimin e BIK-ut në rrjetet sociale. Sipas tyre, thuhet se tentimet për ta lidhur këtë krim, siç thonë ata për kinse motive fetare, më së shumti i shkojnë për shtati atyre që e kanë kryer krimin.
“Ajo çfarë e bën edhe më të rrezikshëm këtë krim, është përpjekja për ta justifikuar atë përmes narracionit fetar – metodë kjo e njohur dhe e përdorur në mënyrë të përsëritur nga grupe të ndryshme kriminale, kudo në botë”, thuhet në njoftimin e BIK.
Më 1 prill, rreshteri policor Muhamed Lika gjeti vdekjen në korridorin e banesës së tij, teksa po kthehej nga puna.
Policia e Kosovës kishte arrestuar Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkelqim Kuka, dhe Diamant Gashi, nën dyshimin për vrasjen e rreshterit.
Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka thënë se duhet të mbështeten institucionet në zbardhjen e vrasjes së rreshterit Lika.
“Zëri i ligjit dhe i drejtësisë duhet të jetë më i fortë se çdo përpjekje për ta sabotuar atë. Të gjithë duhet t’i mbështesim institucionet tona në zbardhjen e rastit dhe vendosjen e drejtësisë në vend. Prandaj, konsiderojmë se prononcimi i hershëm për rastin, si dhe përpjekjet për ta lidhur krimin makabër, për kinse motive fetare, më së shumti i shkon për shtati atyre që e kanë kryer atë. Në fakt, synimi parësor i tyre mbetet mbulimi i krimit me narrativa të rrejshme, në këtë rast në emër të fesë së pastër islame. Mënyra më e mirë për t’i mbështetur institucionet është që të përcillen deklarimet zyrtare. Secili raportim tjetër dhe tendencat për ta hetuar rastin – në forma të ndryshme nga institucionet dhe mekanizma – që nuk e kanë mandat këtë, mund të cenojnë seriozisht hetimet, arrestimin e të dyshuarve të tjerë, epilogun e rastin dhe interesat e Kosovës”, thuhet në komunikatën e BIK-ut.
Përmes një reagimi në Facebook, BIK konsideron se krimi bëhet edhe më i rrezikshëm kur përpiqet të justifikohet përmes narracionit fetar. Ky institucion fetar dënon keqpërdorimin e fesë, flamurit kombëtar dhe idealeve të larta për të legjitimuar mizori dhe veprime kriminale.
“Ajo çfarë e bën edhe më të rrezikshëm këtë krim, është përpjekja për ta justifikuar atë përmes narracionit fetar – metodë kjo e njohur dhe e përdorur në mënyrë të përsëritur nga grupe të ndryshme kriminale, kudo në botë. Disa e shfrytëzojnë dhe e keqpërdorin flamurin kombëtar, të tjerë maskohen pas parimeve fetare, humanitare, apo idealeve ‘të larta’, duke e keqpërdorur ndjenjën kolektive për t’i legjitimuar mizoritë dhe veprimet e tyre të papranueshme dhe të dënueshme kriminale”, thuhet në reagimin e BIK-ut.
BIK u bënë apel institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë që sa më parë t’i zbardhin rrethanat e vrasjes dhe kryerësit të marrin dënimin e merituar.
“Bashkësia Islame e Kosovës, me të gjitha institucionet e saj, edhe njëherë dënon ashpër këtë vrasje, duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe kolegëve të policit Muhamed Lika, njëherësh, kërkon dhe u bën apel institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë që sa më parë të zbardhen rrethanat e vrasjes, si dhe kryesit e këtij krimi të marrin dënimin e merituar”, thuhet po aty.
Të hënën Policia e Kosovës përmes një aksioni ka arrestuar shtatë persona të cilët dyshohet se kanë bërë planifikimin dhe kryerjen e vrasjes së rreshterit, Muhamed Lika në hyrje të banesës së tij.
Gjykata Themelore në Ferizaj me urdhër të prokurorit ka caktuar masën e paraburgimit për të gjithë të arrestuarit lidhur me këtë rast.