Bashkëshortja e Gazmend Hoxhës shpërndan deklaratën e ish-zyrtarit amerikan, Steve Bennet: Dorëheqja e tij ishte e panevojshme

Lurentina Zekaj, bashkëshortja e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka shpërndarë në Facebook një deklaratë në të cilën vlerësohet se dorëheqja e tij nga kjo pozitë ishte e panevojshme. Bëhet fjalë për deklaratën e Steve Bennettit, ish-drejtorit të Misionit për Edukim dhe Zhvillim Policor, i cili ka kritikuar largimin e Hoxhës,…

Lajme

03/11/2026 12:52

Lurentina Zekaj, bashkëshortja e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka shpërndarë në Facebook një deklaratë në të cilën vlerësohet se dorëheqja e tij nga kjo pozitë ishte e panevojshme.

Bëhet fjalë për deklaratën e Steve Bennettit, ish-drejtorit të Misionit për Edukim dhe Zhvillim Policor, i cili ka kritikuar largimin e Hoxhës, duke e cilësuar atë si të panevojshëm dhe kundërproduktiv për përmirësimin institucional, transmeton lajmi.net.

“Dorëheqja e tij ishte e panevojshme dhe kundërproduktive për procesin e të nxënit dhe përmirësimit institucional”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga bashkëshortja e Hoxhës.

Gazmend Hoxha dha dorëheqje të premten nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, pas vrasjes së Arlinda Zekajt nga vëllai i ish-bashkëshortit të saj.

Ndërkohë, ministrat Xhelal Sveçla dhe Donika Gërvalla nuk e konsideruan të nevojshme dorëheqjen e tyre lidhur me këtë rast.

Në ditën kur Hoxha njoftoi largimin nga detyra, bashkëshortja e tij kishte reaguar edhe me një mesazh tjetër, përmes të cilit i kishte shprehur mbështetje dhe kishte vlerësuar përballjen e tij me sfidat gjatë karrierës.

“Përgjegjësia më e madhe është të qëndrosh, të përballesh me të vërtetën dhe të rindërtosh besimin.

Ti je prej atyre që po të të linin, me përgjegjësi dhe profesionalizëm do të përballeshe, sa herë që paraqitet nevoja.

Gjithmonë ke qëndru e je përball me sfidat e organizatës dhe Atdheut, në luftë dhe pas saj, me maturi dhe vendosmëri”, kishte shkruar ajo.

Në letrën e dorëheqjes drejtuar kryeministrit Albin Kurti, Hoxha kishte theksuar se asnjë pozitë nuk është mbi interesin e shtetit dhe se llogaridhënia duhet të jetë parim themelor.

“Asnjë pozitë nuk është mbi shtetin, asnjë funksion nuk është më i rëndësishëm se besimi i qytetarëve dhe askush nuk duhet të jetë mbi parimin e llogaridhënies”, kishte deklaruar ai./lajmi.net/