Bashkazi për LDK’në
Pas një kohe të gjatë, Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa janë bërë bashkë, në një tubim elektoral të LDK’së në Kamenicë. Kanë bërë thirrje për votimin e kësaj partie në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Lajme
Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa, janë bërë bashkë, pas një kohe relativisht të gjatë të ftohjes së raporteve mes tyre.
Ata kanë marrë pjesë, bashkazi, në një tubim elektoral të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kamenicë, prej nga kanë bërë thirrje për votimin e kandidatit të kësaj partie, Shaip Surdulli.
“Bashkazi”, një shprehje kjo e famshme e përdorur nga Fatmir Sejdiu, kur dëshironte të tregonte unitetin, sa ishte President i Kosovës, të dielën ka mundur t’i përshkruhet LDK’së.
Sejdiu nuk ishte prezent në asnjë tubim elektoral të LDK’së deri tash, e gjithashtu mungoi edhe në inagurimin e Shtatorës së Presidentit Rugova, me arsyetimin se ndodhet në një vizitë familjare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Praninë e tij në tubimin e sotëm e vlerësoi lart pasardhësi i tij, Isa Mustafa. Ai tha para simpatizantëve të kësaj partie në Kamencië se LDK, së bashku me Presidentin Fatmir Sejdiu, do të arrijnë objektivat për ta çuar përpara partinë.
“Me ne këtu është edhe Presidenti Sejdiu, i cili ka punuar shumë për LDK’në dhe bashkërisht po punojmë me gjithë udhëheqjen e LDK’së që ta çojmë LDK’në përpara, që të arrijmë objektivat tona, që i kemi paraparë në katër vjetët e ardhshme dhe më tutje”.
“LDK ka fuqi shumë më të madhe sesa që ka marrë vota deri më tani, prandaj dëshirojmë që këtë fuqi që e kemi, këtë program që është pranuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës, ta shndërrojmë edhe në vota dhe në fitoren e madhe në ditën e zgjedhjeve”.
“Jam i bindur se ky rrugëtim këtu në Kamenicë dhe rrugëtimi i LDK’së në gjithë Kosovë, nuk është rrugëtim që do të përfundojë në këto katër vjet, është një rrugëtim afatgjatë, ashtu siç ka përcaktuar Presidenti Ibrahim Rugova. Më 3 nëntor ne do ta shënojmë një rezultat i cili do ta tregojë fuqinë e LDK’së në Kamenicë dhe në gjithë Kosovën”, ka thënë Isa Mustafa.
Duke folur për zgjedhjet lokale në Kamenicë, Mustafa deklaroi se LDK qëndron prapa programit të kandidatit të saj për Kryetar të Kamenicës dhe këshilltarëve komunalë.
“Jam i lumtur që në Kamenicë shoh kaq shumë të rinj, që tregon për perspektivën e LDK’së dhe Kamenicës. Gjithashtu jam i lumtur që sot shoh këtu njerëz të moshuar që i kanë qëndruar besnikë LDK’së, që nga fillimi e deri më sot”.
“Garantojmë se Kryetari aktual dhe i ardhshmi i Kamenicës, Shaip Surdulli, dhe kandidatët për asamble komunale do të punojnë në interes të të gjithë qytetarëve të kësaj komune”.
Shaip Surdulli, Kandidat i LDK’së për Kryetar të kësaj Komune, tha se gjatë mandatit të shkuar janë realizuar me dhjetëra projekte.
Ai ka thënë se, për fat të keq, ndihma nga Qeveria e Kosovës ka qenë shumë simbolike, ndërsa Komuna ka pas ndihma nga qeveritë SHBA’së, Norvegjisë, Suedisë, Komisioni Evropian etj.
“Premtimet e Thaçit se do t’i investojë në Kamenicë miliona euro, kanë mbetur në fatin e harresës”.