Bashkatdhetarët ende paguajnë sigurimin kufitar

Bashkatdhetarët tanë ende po vazhdojnë të paguajnë sigurimin kufitar, edhe pse Qeveria e kaluar në mbledhjen e fundit të saj kishte marrë vendim për mbulimin e shpenzimeve të Kartonit të Gjelbër për të gjithë bashkatdhetarët dhe të huajt që vijnë në Kosovë gjatë vitit 2020.

Lajme

21/06/2020 13:41

Mërgimtarët shprehen të indinjuar që nuk po zbatohet një vendim i tillë, i cili është në dobi të diasporës.

Ndonëse, zyrtarët e Ministrisë së Financave kanë thënë se ky vendim është miratuar si nismë dhe nuk janë konkretizuar modalitetet e zbatimit.

Zëdhënësi i kësaj ministrie Muharrem Shahini thotë për KosovaPress se Qeveria e Kosovës do të sqarojë me kohë për rrjedhën e hapave të mëtejmë rreth kësaj çështje.

“Qeveria e kaluar e Republikës së Kosovës në mbledhjen e saj të fundit më 03.06.2020, nëpërmjet Vendimit Nr. 05/39 ka aprovuar fillimin e procedurave për krijimin e një mekanizmi për mbulimin e obligimeve të sigurimit kufitar për të gjithë bashkatdhetarët dhe të huajt që vijnë në Kosovë në vitin 2020, dhe që janë subjekt i policës kufitare. Ky vendim është miratuar si nismë dhe nuk ka konkretizuar modalitetet e zbatimit. Qeveria e Kosovës do të sqarojë me kohë për rrjedhën e hapave të mëtejmë rreth kësaj çështje”, thotë Shahini.

Bashkatdhetari Besart Musliu i cili jeton dhe vepron në Luksemburg, më 10 qershor ishte nisur me shumë vullnet për Kosovë, por në Merdarë ishte detyruar ta paguaj sigurimin, për çka ai është shprehur i habitur përse nuk është duke u implementuar vendimi për kompensimin e këtij sigurimi.

Përveç kostos materiale, Musliu thotë se po krijohen edhe radhë të gjata pritjeje në kufi për mërgimtarët.

“Unë para se me u nisë prej Luksemburgut kam dëgjuar në televizor s’e për të gjitha ata që vijnë prej jashtë, këtë sigurim e kanë tërhequr për vitin 2020. Por, kur erdha (në Merdarë) me thanë që duhet me paguar. Madje, unë i pyeta s’e keni tërhequr, më thanë jo. Unë iu thash se në TV e kam parë para do dite që s’kemi më nevojë me pagua. Aty një zyrtar qeshi dhe më tha: “Jo mos shiko shumë televizor”. Kështu që nuk është problemi vetëm te parat, për 15 euro, por krejt problemi është se kur po vijmë në kufi, ne po i bëjmë 2 mijë kilometra dhe kur po vijmë aty, vetëm 20 vetura me qenë, nga 20 minuta vonesë, po presim nga dy-tri orë në kufi”, theksoi Musliu.

Ndërsa, kryetari i Komisionit parlamentar për Financa dhe Transfere Hekuran Murati thotë se ka mungesë të vullnetit politik që të realizohet ky vendim për mbështetjen e diasporës.

Deputeti nga LVV thotë se qeveria do të duhej me u angazhua që me e dërgua deri në fund këtë vendim.

“Pra, në mungesë të aftësisë që me u anëtarësua në Kartonin e Gjelbër si Kosovë, do të duhej që shteti me marrë përsipër atë barrë, në mënyrë që mos me i shtua barrierat për mërgatën të cilët vijnë në Kosovë. Kostoja e mbulimit të Kartonit të Gjelbër, nëse nuk gaboj, sipas pasqyrave financiare sillet diku 3-5 milionë euro në vit, ose kostoja e mbulimit të dëmeve që shkaktohen prej mërgatës, që janë të regjistruara. Nuk është ndonjë kosto e madhe marrë parasysh kontributin financiar që mërgata e sjellë në Kosovë çdo vit. Në kushte normale ne do të duhej të ishim anëtarë të Kartonit të Gjelbër dhe kjo kosto të ishte e përfshirë në sigurimin që paguajnë mërgata në vendet prej nga vijnë. Por në mungesë të një anëtarësimi të tillë, I cili është paksa edhe faji I jonë si shtet nga administratat e kaluara, do të duhej që qeveria ta marrë përsipër këtë barrë”, thotë Murati.

Edhe profesori i ekonomisë Nagip Skënderi pohon se kompensimi i sigurimeve do të ishte një nga format nxitëse për mërgimtarët që të vijnë në Kosovë, andaj edhe kërkohet një lehtësim për diasporën.

Profesori Skënderi pohon se nëse tash qeveria nuk e subvencionon formën e Kartonit të gjelbër për të gjithë mërgimtarët që vijnë në Kosovë, do të ishte një humbje e madhe nga remitencat e diasporës, e cila do ta përshpejtonte zhvillimin ekonomik.

Më 3 qershor, në mbledhjen e fundit të Qeverisë Kurti, ishte marrë vendim për inicimin e fillimit të proceduarave për kompensimin e sigurimit kufitar për bashkatdhetar.

YouTube player