Bashkatdhetarë, mos u nisni nga Merdarja e Dheu i Bardhë

Qysh në orët e para të mëngjesit në pikëkalimet kufitare me Serbinë ka pritje dhe kolona të gjata.

Lajme

08/08/2019 08:40

Të gjithë bashkatdhetarët të cilët kanë përfunduar pushimet në Kosovë dhe janë nisur drejt vendeve evropiane janë duke u përballur me pritje e kolona të gjata.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka publikuar statistikat e fundit në lidhje me fluksin nëpër pikëkalimet kufitare, shkruan lajmi.net.

Sipas këtyre statistikave pritje dhe kolona të gjata ka në dalje të Kosovës në pikëkalimet kufitare Merdare dhe Dheu i Bardhë.

Në Merdare pritja është dy orë e gjysmë dhe kolona ka arritur në 1 kilometër e gjysmë.

Në këtë pikë kufitare ka pritje edhe në hyrje të Kosovës, ku qytetarët janë duke pritur maksimumi 30 minuta.

Po ashtu në dalje të Kosovës në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë bashkatdhetarët janë duke pritur deri në dy orë ndërkaq kolona ka arritur në 1.2 kilometra.

Në bazë të këtyre statistikave, nëpër të gjitha pikat e tjera kufitare pritjet janë në kuadër të suazave normale dhe nuk janë më shumë se 10-15 minuta. /Lajmi.net/