Barduani qorton për mungesë angazhimi në dialog: Situata e sigurisë në Kosovë mbetet e brishtë
Sot, Komandanti i Forcës së udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Enrico Barduani, informoi Komitetin Ushtarak të NATO-s, në selinë e NATO-s, për situatën e sigurisë në Kosovë dhe aktivitetet e misionit të KFOR-it. Ai paraqiti arritjet e gjashtë muajve të fundit që nga marrja e komandës së KFOR-it në tetor 2024. Gjeneral…

Lajme
Sot, Komandanti i Forcës së udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Enrico Barduani, informoi Komitetin Ushtarak të NATO-s, në selinë e NATO-s, për situatën e sigurisë në Kosovë dhe aktivitetet e misionit të KFOR-it.
Ai paraqiti arritjet e gjashtë muajve të fundit që nga marrja e komandës së KFOR-it në tetor 2024.
Gjeneral Barduani theksoi se një qëndrim operacional proaktiv është thelbësor për të siguruar që KFOR-i të përballojë sfidat aktuale dhe të jetë i përgatitur për ato të mundshme në të ardhmen.
”Komandanti i KFOR-it vuri në dukje se situata e sigurisë mbetet e brishtë për shkak të disa faktorëve, përfshirë tensionet e vazhdueshme në rajon dhe angazhimin e pamjaftueshëm të Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Në këtë drejtim, KFOR mbështet plotësisht Dialogun e lehtësuar nga BE-ja si një kornizë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme që do të përfitojë të gjitha komunitetet”, theksohet ndër tjera nga njoftimi i KFOR-it.
Gjithashtu, Gjeneral Barduani përsëriti përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin afatgjatë të OKB-së.
Gjatë takimit, Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Giuseppe Cavo Dragone, shprehu mirënjohjen e tij të thellë për Gjeneral Barduanin, duke vlerësuar lidershipin e tij dhe arritjet solide të KFOR-it.
Ai shtoi se puna e KFOR-it mbetet kyçe për konsolidimin e sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe për ruajtjen e stabilitetit në rajon.