Baraliu për grevën e gjyqtarëve: Nuk janë në gjendje të rëndë

Janë bërë 15 ditë që kur gjyqtarët në mbarë Kosovën kanë hyrë në grevë. Aktualisht, në sistemin gjyqësor po mbahen seanca vetëm për gjykime me të paraburgosur dhe për raste që gjykohen si emergjente.

Lajme

17/03/2015 23:46

Në shtatë rajone të gjykatave themelore nuk është zhvilluar asnjë lëndë, pasi që gjyqtarët po kërkojnë së paku 200 euro shtesë që iu premtuan vitin e kaluar.

Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu thotë se kërkesat e gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të merren parasysh.

“Kërkesat e gjyqtarëve dhe prokurorëve duhet të merren parasysh. Megjithatë, nëse ka diçka që është bërë mirë, e që nuk janë shumë nga qeveritë e deritanishme dhe kjo para kësaj, po ka gatishmëri që të rriten pagat dhe ato një kohë janë bazuar me pagat e ministrave madje edhe të kryeministrit. Në krahasim me vendet në rajon dhe standardin që kemi në sistemin gjyqësor dhe të drejtësisë ,përveç policisë, nuk janë në gjendje shumë të rëndë”, ka thënë Baraliu për Indeksonline.

Sipas tij, marrë parasysh që vendi ynë është në gjendje tranzicioni, gjyqtarët dhe prokurorët duhet të kenë mirëkuptim.

“Mendoj se në këtë gjendje tranzicioni duhet të tregojnë mirëkuptim dhe të mos e bojkotojnë punën e tyre. Megjithatë, është e drejtë e çdo qytetari që të protestojë dhe të shprehë kërkesat e veta, andaj edhe protesta është e drejtë e tyre”, shtoi ai.

Ndërkaq, kryeministri Isa Mustafa ka thënë se nuk ka mundësi që të ketë rritje pagash.