Balotazhi në Pejë | Ali Berisha në ‘pole position’ – thotë se po pret ofertat edhe nga LDK-ja

Sot kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Pejës, Taulant Kelmendi i ka bërë ofertë për bashkëpunim në balotazh kandidatit të AAK, Ali Berisha, duke ia ofruar kështu 6 drejtori komunale dhe Kryesuesin e kuvendit komunal në Pejë. Në një prononcim për Periskopin, kandidati i AAK, Ali Berisha tha se kjo ofertë e Vetëvendosjes do të…

Lajme

28/10/2025 16:16

Sot kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Pejës, Taulant Kelmendi i ka bërë ofertë për bashkëpunim në balotazh kandidatit të AAK, Ali Berisha, duke ia ofruar kështu 6 drejtori komunale dhe Kryesuesin e kuvendit komunal në Pejë.

Në një prononcim për Periskopin, kandidati i AAK, Ali Berisha tha se kjo ofertë e Vetëvendosjes do të shqyrtohet bashkë me strukturat qendrore, por janë në pritje të ofertës edhe nga kandidati i LDK, Gazmend Muhaxheri.

 

“Sot e kemi pranuar zyrtarisht ofertën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatit për kryetar të komunës, Taulant Kelmendit dhe tani jemi në pritje edhe të ofertave të kandidati tjetër. Ne do t’i konsultojmë të gjitha strukturat e partisë duke filluar nga asambleistët e zgjedhur, mandej strukturën udhëheqëse të degës, do të ketë komunikim edhe me strukturat qendrore të partisë dhe momentin e duhur do të marrim vendimin e duhur besoj për Pejën dhe Aleancën. Presim edhe kandidatin për kryetar të komunës së partisë tjetër dhe mandej do të marrim vendimin e duhur  në momentin ma adekuat të mundshëm”, tha Berisha.

I pyetur nëse Bekë Berisha nga takimi me Taulant Kelmendin ka ndikuar që VV t’u bëjë ofertë për AAK-në, Berisha tha:

“Nuk e di a ka ndiku, por takimet e tilla janë shumë normale edhe Bekë Berisha dhe të gjithë munden me u taku me të partive tjera, mund t’i pyesni ata se kush ka ndiku”, tha Berisha.

Nga të dhënat e KQZ-së, Gazmend Muhaxheri në zgjedhjet lokale ka marr 46.25% ndërsa Taulent Kelmendi 27.78%.