Balaj tregon suksesin dhe bën përkthyesin e Roshit: Ja sekreti ynë

Bekim Balaj hapi siparin e golave të këtyre kualifikueseve, ndërkohë që Odise Roshi bëri një ndeshje të mrekullueshme në sfidën finale të Shqipërisë në transfertën e triumfit në Armeni.

Sport

16/10/2015 13:23

Suksesi i kuqezinjve që arritën të sigurojnë kualifikimin për në fazën e grupeve të “Francë 2016″, nuk mund të mos përcillej edhe në Kroaci.

Aty ku luajnë dy nga protagonistët e skuadrës së De Biazit me Rijekan. Bekim Balaj hapi siparin e golave të këtyre kualifikueseve, ndërkohë që Odise Roshi bëri një ndeshje të mrekullueshme në sfidën finale të Shqipërisë në transfertën e triumfit në Armeni.

Prestigjiozja “Goal.com” ka bërë një speciale me rrëfimet e të dy lojtarëve, ku është shkodrani që i kthen asistin e “Aveiros” në fitoren 0-1 me Portugalinë mesfushorit fierak, duke bërë përkthyesin gjatë intervistës së këtij të fundit. Më poshtë, është edhe i gjithë shkrimi i “Goal.com” në versionin kroat, shkruan “Panorama Sport”.

Rijeka u është rikthyer përgatitjeve pas periudhës së kombëtareve dhe pjesa më e madhe e lojtarëve vijnë të zhgënjyer për moskualifikimin në “Francë 2016″, ndërkohë që dyshja e shqiptarëve janë më të lumtur se kurrë. Sulmuesi ka luajtur në ndeshjen kundër Serbisë, ndërkohë që Roshi në atë kundër Armenisë, e cila u pasua me triumfin historik dhe me festime të çmendura në Shqipëri.

“Mendoj që ajo ishte ndeshja madhore për ne, pasi aty ishte e përqendruar e gjithë vëmendja dhe pritshmëria e tifozëve tanë. Një takim që kishte presion të shumëfishtë. Përpara saj, njerëzit mendonin më shumë për gjërat jashtë futbollit, politikën e kështu me radhë… Megjithatë, ne treguam imazh të mirë dhe se çfarë dimë ne të bëjmë. Ajo që ndodhi në Serbi u harrua dhe ne kishim detyrë që të tregonim një figurë të mirë. Me përjashtim të rezultatit, gjithçka shkoi në mënyrë perfekte.

Europiani Është e pashpjegueshme. Nuk di të them me saktësi se sa mirë ndihem. Për çdo lojtar, mund të jetë maja e karrierës, ndërkohë që të shohësh që gëzon i gjithë populli yt, shoqëria, skuadra dhe familja, të bëjnë që të jesh me të vërtetë krenar për këtë arritje.