Bajrami thotë se ministrja Rizvanolli i ka detyruar KEK-un të dalin me reagim për tenderin 137 milionësh me negociata: Unë flas vetëm me fakte

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pasi KEK-u ka dal me komunikatë në lidhje me tenderin 137 milionësh me negociata për të cilin ka folur dje Bajrami. Ajo ka thënë se ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli i ka detyruar KEK-un ta bëjnë këtë reagim. “Më vjen keq që shumë zyrtarë publik po i lejojnë…

Lajme

24/06/2025 16:23

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pasi KEK-u ka dal me komunikatë në lidhje me tenderin 137 milionësh me negociata për të cilin ka folur dje Bajrami.

Ajo ka thënë se ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli i ka detyruar KEK-un ta bëjnë këtë reagim.

“Më vjen keq që shumë zyrtarë publik po i lejojnë vetes të shndërrohen në instrument propagande të LVV-së. Unë askund nuk kam thënë se kanë aplikuar gjashtë kompani. Përkundrazi, kam theksuar qartë se tenderi është i hapur deri më 4 korrik, ashtu siç thuhet në faqen zyrtare të e-prokurimit. Po e ritheksoj: ky është një tender i hapur me negociata. Kjo shihet qartë në dokumentet e publikuara në e-prokurim”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka thënë se e vërteta që e ka thënë ajo nuk demantohet.
“Tani edhe njëherë:
• A është tenderi me vlerë 137,340,000 euro?
• A është shpallur pa studim fizibiliteti?
• A është e vërtetë që meqë nuk ka fizibilitet njëra nga këto 6 kompani do të ju tregojë juve/KEK-ut, se çfarë duhet të bëhet për të modernizuar dhe rehabilituar njësinë A3 të TC A?
• A e keni shtyrë disa here afatin ppr dorëzim të aplikacioneve deri më tani?
• A i keni zbutur kriteret për stafin profesional?
Natyrisht që përgjigja për të gjitha është: PO.
Populli e thotë më së miri: “Mali që shihet, kallauz nuk don”, ka shkruar Bajrami. /Lajmi.net/