Bajrami: Shqetësuese kush po e udhëheq vendin, Kurti po mbron ministra me aktakuza

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar atë për, siç tha, deklarata të pavërteta dhe mbrojtje të pakushtëzuar të ministrave të përfshirë në afera dhe raste të dyshuara për korrupsion. Përmes një postimi publik, Bajrami ka thënë se, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, qytetarët duhet…

Lajme

22/01/2026 17:58

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar atë për, siç tha, deklarata të pavërteta dhe mbrojtje të pakushtëzuar të ministrave të përfshirë në afera dhe raste të dyshuara për korrupsion.

Përmes një postimi publik, Bajrami ka thënë se, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, qytetarët duhet të jenë të shqetësuar se kush po e udhëheq vendin, raporton lajmi.net

“E kam thënë dhe po e përsëris se përtej rezultatit të zgjedhjeve, ne të gjithë duhet të jemi të shqetësuar se kush po e udhëheq vendin”, ka shkruar Bajrami, duke akuzuar Kurtin se po thotë të pavërteta “pa iu dridhur qerpiku”.

Ajo ka renditur një sërë çështjesh, përfshirë qindra mijëra kontrata të negociuara, ministra me aktakuza, rastin e rezervave shtetërore, si dhe, siç i quajti ajo, “mafian energjetike dhe farmaceutike”.

Bajrami ka reaguar edhe ndaj deklaratës së Kurtit se askush në kabinetin e tij nuk ka “as imagjinatën më të vogël për t’u përfshirë në korrupsion”, duke e cilësuar këtë si absurde.

“Kurti ka arritur të depërtojë edhe në imagjinatën e ministrive dhe jo vetëm të ministrave, por edhe të stafit të tyre”, ka shkruar ajo me ironi.

Postimi i plotë:

E kam thënë dhe po e përsëris prapë se përtej rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ne të gjithë duhet të jemi të shqetësuar se kush po e udhëheq vendin.
Dëgjojeni Albinin, si thotë të pavërteta pa iu dridhur qerpiku.
Qindra e mijëra kontrata të negociuara, ministra me aktakuza, rasti i rezervave shtetërore ku edhe vetë është i implikuar, mafia energjetike, mafia farmaceutike – dhe del burri i botës e thotë se “askush në kabinetet e ministrave të mi nuk ka as imagjinatën më të vogël për t’u përfshirë në korrupsion”.
Dmth. Albini ka arritur të depërtojë edhe në imagjinatën e ministrive dhe jo vetëm të atyre, por edhe të stafit që ministrat kanë në kabinet.
Albin,
Që kabinetin e ke të korruptuar e dinë të gjithë – edhe ata në Davos. Po deklaratat e tua në mbrojtje dhe garanca absolute edhe për ministrat me aktakuza tregojnë se ti ke qenë urdhërdhënësi. Përndryshe, kjo mbrojtje, kjo garancë nuk mund të shpjegohet ndryshe./Lajmi.net/