Bajrami pas shkarkimit të Isufajt: Alarm për drejtësinë dhe shtetin

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për largimin e Blerim Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale. Bajrami e ka cilësuar këtë vendim si një “alarm për drejtësinë dhe shtetin”, duke shprehur shqetësimin se ai mund të ndikojë në pavarësinë e prokurorëve…

Lajme

02/10/2026 18:44

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për largimin e Blerim Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Bajrami e ka cilësuar këtë vendim si një “alarm për drejtësinë dhe shtetin”, duke shprehur shqetësimin se ai mund të ndikojë në pavarësinë e prokurorëve dhe gjyqtarëve, transmeton lajmi.net.

Sipas saj, zhvillimet e sotme përcjellin një mesazh shqetësues për sistemin e drejtësisë.

“Shkarkimi i kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale është alarm për drejtësinë dhe për shtetin. Sot u dha një mesazh i rrezikshëm për prokurorët dhe gjykatësit: kujdes se kë hetoni dhe kujdes se çfarë vendosni”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka theksuar se vota e qytetarëve i jep pushtetit mandat për të qeverisur, por jo për të ndërhyrë në punën e institucioneve të drejtësisë.

“Vota qytetare i jep pushtetit të drejtën të qeverisë, jo të kontrollojë prokurorinë dhe gjykatat. KPK-ja nuk duhet të jetë vegël e asnjë pushteti politik”, thuhet në reagimin e saj.

Bajrami ka ngritur shqetësimin se, nëse një prokuror largohet për shkak të vendimeve që nuk i përshtaten pushtetit, kjo mund të krijojë pasiguri për punën e institucioneve të drejtësisë.

“Sepse kur pushteti kontrollon institucionet që duhet ta kontrollojnë atë, qytetari mbetet i pambrojtur. Këtë nuk duhet ta pranojmë si normale dhe nuk do ta pranojmë!”, ka përfunduar ajo./lajmi.net/