Bajrami: Mësimdhënësit kanë përgjegjësinë për ngritjen shoqërisë

Arsim Bajrami ka uruar mësimdhënësit kosovarë në ditën 7 marsit, por u ka kujtuar atyre rolin që kanë në ndërtimin e një shoqërie të arsimuar. Ai ka thënë se vetëm me mësimdhënie cilësore mund të ndërtohet një e ardhme më e mirë.

Lajme

07/03/2015 12:23

Në ditën e 7 marsit – ‘Ditën e Mësuesit’, ministri i Arsimit të Kosovës, Arsim Bajrami , ka uruar mësimdhënësit kosovarë, duke përmendur edhe rolin e tyre për ndërtimin e një shoqërie të arsimuar.

Bajrami  në një postim në Facebook, ka shkruar  se vetëm me një mësimdhënie cilësore mund të ndërtohet një e ardhme më e mirë për fëmijët.

“Sot është një ditë e veçantë për arsimin kombëtar, 7 Marsi – Dita e Mësuesit. Është dita kur ne kujtojmë rrugën e gjatë dhe të vështirë, të cilën e bënë mësimdhënësit tanë për të mbrojtur mësimin në gjuhën shqipe, për të edukuar dhe arsimuar breza të tërë”.

“Arsimi është sfera më e rëndësishme e mbijetesës kombëtare dhe bartë në vete dimensionin e frymëzimit të gjeneratave për dije, dashuri dhe liri. Ju mësimdhënës të dashur, keni përgjegjësinë dhe meritat kryesore për ndërtimin e një shoqërie të arsimuar që përcakton një shtet të zhvilluar”.

“ Vetëm me kontributin tuaj për mësimdhënie cilësore, ne do të mund të përshpejtojmë rrugën drejt të një ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Ju siguroj se do të jemi së bashkë me ju në këtë mision të rëndësishëm”, ka shkruar ministri Bajrami.