Bajrami: Kurti ushtroi detyrën drejtorit të KEK-ut shpërndau 220 kontrata, shndërroi ndërmarrjen publike në instrument të fushatës

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka shkruar në lidhje me praninë e kryeministrit Albin Kurti në ditën kur po nënshkruheshin kontratat dhe po shpërndaheshin kartelat për 220 punëtorët e pranuar në Korporatën Energjetike të Kosovës. Sipas saj me këtë rast, Kurti ka ushtruar detyrën e drejtorit të KEK-ut dhe atë të drejtorit të burimeve njerëzore…

Lajme

08/01/2025 09:35

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka shkruar në lidhje me praninë e kryeministrit Albin Kurti në ditën kur po nënshkruheshin kontratat dhe po shpërndaheshin kartelat për 220 punëtorët e pranuar në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Sipas saj me këtë rast, Kurti ka ushtruar detyrën e drejtorit të KEK-ut dhe atë të drejtorit të burimeve njerëzore e që sipas saj është keqpërdorim i ndërmarrjeve publike për blerje votash.

“Para dy ditësh në KEK, Kurti shpërndau 220 kontrata punësimi, duke e shndërruar një ndërmarrje publike në instrument të fushatës së tij zgjedhore. Këto punësime, të maskuara si “në funksion të mihjes dhe prodhimit të qymyrit” siç e tha ai vetë, janë asgjë më shumë se një përpjekje e pastër për të fituar mbështetje elektorale me metoda të paligjshme – komplet të paligjshme”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka shkruar edhe për paralajmërimin e SHSKUK-së për hapjen e një konkursi për 370 pozita që kanë qenë të mbajtura nga ushtrues detyre për më shumë se 10 vite, shkruan lajmi.net.

Bajrami ka pyetur se pse kjo po ndodh pikërisht në kohë të zgjedhjeve.

“Është e qartë se ky konkurs nuk ka për qëllim reformimin e sistemit shëndetësor, por është një tjetër mashtrim dhe manipulim elektoral. Gjithashtu, është e kuptueshme që edhe sikur konkursi të hapet sot, si proces nuk do të përfundojë para datës 9 shkurt. Pra, është manipulim dhe maltretim i qytetarëve për të ju marrë votën. Albin Kurti ka një hall të madh, ai po e di mirë që mbështetja për të ka rënë. Në mungesë të rezultateve konkrete për qeverisjen e tij katër vjeçare “krejt dhe drejt” tani po përdor çdo mjet për të shpëtuar veten. Por koha e fushatave me manipulime dhe premtime boshe po merr fund, 9 shkurti është afër. Ndryshimi po vjen”, ka shkruar Bajrami në Facebook. /Lajmi.net/