Bajrami kritikon Qeverinë: Pakoja prej 200 milionë eurosh, lëvizje politike e jo mbështetje për ekonominë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke e quajtur të motivuar politikisht pakon e paralajmëruar prej rreth 200 milionë eurosh për sektorin privat. Përmes një postimi në facebook, Bajrami u shprehë se në një kohë kur ekonomia globale po përballet me pasiguri të mëdha dhe rritje të çmimeve të energjisë e…

Lajme

18/04/2026 10:31

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke e quajtur të motivuar politikisht pakon e paralajmëruar prej rreth 200 milionë eurosh për sektorin privat.

Përmes një postimi në facebook, Bajrami u shprehë se në një kohë kur ekonomia globale po përballet me pasiguri të mëdha dhe rritje të çmimeve të energjisë e naftës, Qeveria po fokusohet më shumë në procese zgjedhore sesa në masa për stabilizimin ekonomik.

Bajrami ka theksuar se bizneset vendore po përballen me rritje të kostove dhe mungesë mbështetjeje nga shteti, ndërsa inflacioni në Kosovë, sipas saj, mbetet i lartë krahasuar me standardet e Eurozonës. Ajo ka kritikuar edhe mungesën e strategjisë për energjinë dhe varësinë e madhe nga importi, duke thënë se kjo po e dëmton prodhimin vendor.

Postimi i plotë:

Derisa “The Economist” po paralajmëron se ekonomia globale po hyn në një fazë të rrezikshme, Qeveria jonë po përgatitet për zgjedhje

Çmimet e naftës u rritën deri në 63% brenda një muaji, kudo në botë kemi rritje të çmimeve të energjisë, po rriten kostot e financimit dhe bizneset po hyjnë në një fazë të re të pasigurisë. Në këtë kohë të pasigurisë gati të gjitha vendet po ndërmarrin masa për të mbrojtur ekonomitë dhe qytetarët e tyre, te ne, Qeveria sillet sikur asgjë nuk po ndodh, në fakt Qeveria po fërkon duart tek sheh se në kurriz të inflacionit po mbushet arka e shtetit. Në Eurozonë 2.5% inflacion konsiderohet alarm, në Kosovë me 6.7% dhe Qeveria ende sillet sikur çdo gjë është në rregull.

Qeveria refuzon të lëvizë me politika fiskale, gjë të cilën po e bëjnë shumica e qeverive serioze. Deri më tani Qeveria nuk ka ofruar asnjë mbështetje për prodhuesit vendorë dhe nuk ka asnjë strategji për energjinë, varësia nga importi sidomos i energji po e gërryen sektorin edhe ashtu të vogël prodhues që kemi.

Pra, bizneset vendore po përballen çdo ditë me rritjen e kostove dhe e vetmja gjë që kjo qeveri dëshiron të bëjë është që t’ua caktojë marzhat, jo kostot por marzhat e fitimit.

Kriza nga bizneset kalon te qytetarët, përmes çmimeve më të larta dhe këtë ata po e ndiejnë çdo ditë. Derisa Qeveria po rri anash, kryeministri me shumë po rri jashtë shtetit.

Por duhet të theksohet që Qeveria e Kosovës në vend që të ndërmarrë masa në ekonomi, po përgatitet një “pako” prej 200 milionë eurosh, jo për prodhim, as për energji, as për zhvillim, po për zgjedhje, për zgjedhje të jashtëzakonshme, të tretat në më pak se një vit e gjysmë.

Kjo nuk është ndihmë për qytetarët, kjo është skemë e korrupsionit publik, është keqpërdorim i buxhetit për qëllime politike. Ndërkohë, Kosova jonë vazhdon pa kapacitete të reja energjetike, pa prodhim vendor, pa asnjë mbrojtje nga goditjet që vijnë nga jashtë.

Pra kur të tjerët lëvizin, ne vendnumërojmë, kur të tjerët investojnë, Qeveria jonë blen vota dhe kështu të tjerët prodhojnë e ne konsumojmë, andaj edhe në vitin 2025 përfunduam me deficit tregtar hiç me pak se 6 miliardë Euro.

E vërteta është e thjeshtë: një vend që nuk prodhon dhe nuk investon nuk mund të ecë përpara. Populizmi mund të sjellë vota për një kohë, por prosperitet asnjëherë, sepse krizat nuk falin, ato vetëm t’i vënë në pah dobësitë që i ke.