Bajrami kërkon që të shmangen manipulimet në Testin e Maturës
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Arsim Bajrami, është takuar sot me kryetarë të komunave, drejtorë komunal të arsimit dhe drejtorë të shkollave të mesme të larta të Kosovës, me të cilët ka biseduar për administrimin e provimit shtetëror të maturës.

Lajme
Me këtë rast, ministri Bajrami tha se matura shtetërore paraqet një provim të pjekurisë së nxënësve dhe kërkoi nga të gjithë që të angazhohen që ky proces të kalojë me një administrim të mirë dhe të mundësohet një vlerësim profesional, i pavarur, i suksesit të nxënësve.
“Jemi të sigurt se kemi bërë përgatitjet e nevojshme dhe të gjithë jemi të gatshëm të veprojmë si një ekip, që ky proces të zhvillohet sa më mirë dhe të nxirret një rezultat real”.
“Nuk i bëjmë shërbim të mirë nxënësve tanë nëse ju japim rezultat të pamerituar”, u shpreh ai, ndërsa tha se përveç nxënësve, rezultatin real duan ta dinë edhe familjet dhe prindërit.
Testi i Maturës të mbahet më 6 qershor pjesa e parë dhe pjesa e dytë me 20 qershor 2015 .
Provimi i maturës këtë vit mbahet në ambiente të mbyllura, në klasë, duke i ndarë paralelet deri në 15 nxënës. Do të administrohet nga 2500 administrues dhe 500 mbikëqyrës, ndërsa për çdo 5 administrues do të ketë një monitorues.
Do të jenë gjithsej 250 qendra të testimit, kryetarët e të cilave do të jenë nga MAShT dhe universitetet publike. Për sigurimin e ambientit do të kujdeset Policia e Kosovës.