Bajrami kërkon hetimin e 3 mijë tenderëve njëburimorë: Janë kthyer në praktikë qeverisëse, e bashkë me ta edhe korrupsioni

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që të nisë hetimet për kontratat njëburimore, për të cilat pretendon se janë shndërruar në praktikë të zakonshme të qeverisjes. Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka deklaruar se rreth 3 mijë kontrata njëburimore nuk mund të konsiderohen raste të…

Lajme

17/10/2026 19:13

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që të nisë hetimet për kontratat njëburimore, për të cilat pretendon se janë shndërruar në praktikë të zakonshme të qeverisjes.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka deklaruar se rreth 3 mijë kontrata njëburimore nuk mund të konsiderohen raste të izoluara, duke ngritur shqetësime për mënyrën e dhënies së tyre, transmeton lajmi.net.

“Tenderët njëburimorë janë kthyer në praktikë qeverisëse, e bashkë me ta edhe korrupsioni!”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka thënë se për këtë çështje ka folur vazhdimisht dhe se i ka kërkuar Prokurorisë Speciale të hetojë këto kontrata.

“Kam folur vazhdimisht për tenderët njëburimorë dhe kam kërkuar nga Prokuroria Speciale që t’i hetojë. Rreth 3 mijë kontrata njëburimore nuk janë përjashtim – kjo është bërë praktikë”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.

Si shembull, Bajrami ka përmendur kontraktimin e peletit nga Komuna e Podujevës, duke pretenduar se çmimi për ton ishte 120 euro më i lartë sesa ai i kontraktuar nga Komuna e Rahovecit përmes një tenderi të hapur.

“Rasti i fundit, ku Komuna e Podujevës me tender të negociuar ka kontraktuar peletin për 120 euro më shtrenjtë për ton sesa Komuna e Rahovecit me tender të hapur, është vetëm një ilustrim i pasojave nga mungesa e konkurrencës”, ka shkruar ajo.

Bajrami ka kërkuar që organet e drejtësisë të shqyrtojnë jo vetëm numrin e kontratave njëburimore, por edhe arsyetimin për përdorimin e procedurave të negociuara, çmimet e kontraktuara dhe subjektet përfituese.

“Prapë i bëj thirrje Prokurorisë Speciale që t’i hetojë të gjitha këto kontrata, arsyet e përdorimit të procedurave të negociuara, çmimet dhe përfituesit e tyre”, ka përfunduar Bajrami./lajmi.net/