Bajrami i përgjigjet Pacollit: Kallëzimit penal i qëndroj prapa, Prokuroria të hetojë të gjitha institucionet përgjegjëse
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas deklaratave të ministres në detyrë lidhur me kallëzimin penal për rastin e deponisë në Sferkë, duke thënë se kërkesa e saj është që të hetohen të gjitha institucionet përgjegjëse. Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se në kallëzimin penal ka kërkuar…
Lajme
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas deklaratave të ministres në detyrë lidhur me kallëzimin penal për rastin e deponisë në Sferkë, duke thënë se kërkesa e saj është që të hetohen të gjitha institucionet përgjegjëse.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se në kallëzimin penal ka kërkuar të hetohen Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK), Ministria, Qeveria dhe të gjitha institucionet përgjegjëse.
Ajo ka thënë se në dokumentin publik të KMDK-së është paraparë që këtë vit të bëhet rehabilitimi i deponisë në Sferkë dhe deponive të tjera, e që sipas saj nuk kanë bërë asgjë.
“Ministre në detyrë, nëse vetë keni konstatuar se kjo deponi nuk i plotëson standardet mjedisore për shkak të mosrespektimit të standardeve, atëherë pyetja është e qartë: pse nuk janë ndërmarrë masat për ndalimin e funksionimit të saj dhe pse gjithçka është kufizuar vetëm në shqiptimin e një gjobe? Nëse nuk janë respektuar standardet, atëherë është dashur të mbyllet. Kushdo që nuk e ka mbyllur, e ka vendin në BURG. PIKË! Ju vetë thoni se KMDK-ja ka qenë në Sferkë. Atëherë ku ishte Ministria? Ku ishin mekanizmat e saj? Ku ishin masat urgjente për ta parandaluar dhe menaxhuar këtë krizë?”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka thënë se me reagimin e Pacollit, ajo e ka forcuar atë se institucionet përgjegjëse kanë dështuar në përmbushjen e detyrës së tyre për mbrojtjen e mjedisit.
“Sa për rikujtim, Ministre në detyrë: Ministria që drejtoni është Ministria e Mjedisit. Përgjegjësi e saj është mbrojtja e ajrit, tokës, ujit dhe natyrës. Qytetarët nuk po shohin reagim nga institucionet, nuk po shohin veprime konkrete dhe masa efektive për ta ndalur këtë situatë. Ministre në detyrë, a e dini sa qytetarë kanë qenë të ekspozuar ndaj këtij tymi? A e dini çfarë pasojash mund të ketë kjo për shëndetin e njerëzve, për bujqësinë, për kafshët dhe për mjedisin? Kallëzimit penal i qëndroj plotësisht prapa. Uroj që Prokuroria të hetojë deri në fund çdo veprim dhe çdo mosveprim. Nëse hetimet provojnë se ka pasur moskryerje të detyrës zyrtare, keqpërdorim të pozitës apo përgjegjësi të tjera penale, atëherë kushdo që mban përgjegjësi duhet të përballet me drejtësinë dhe me pasojat që i parasheh ligji.”, ka shkruar Bajrami. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: