Bajrami i kundërpërgjigjet Kurtit: Për dhjetë vjet në opozitë ua bëri gjyqin të gjithëve, i shpallte hajna e kriminelë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas përplasjes me kryeministrin Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës, ku ky i fundit i ishte përgjigjur se gjykimin për të do ta bëjnë qytetarët. Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka kritikuar Kurtin, duke i kujtuar deklaratat e tij gjatë kohës sa ishte…
Lajme
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar pas përplasjes me kryeministrin Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës, ku ky i fundit i ishte përgjigjur se gjykimin për të do ta bëjnë qytetarët.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka kritikuar Kurtin, duke i kujtuar deklaratat e tij gjatë kohës sa ishte në opozitë. Ajo ka thënë se kryeministri për vite me radhë kishte gjykuar kundërshtarët politikë, duke i etiketuar edhe si hajna, vrasës e kriminelë, transmeton lajmi.net.
“Ky për dhjetë vjet sa ka qenë në opozitë, s’ka lanë kujt pa ia ba gjyqin. Madje, jo vetëm gjyqin, por merrke edhe vendime: i shpallke njerëzit hajna, vrasës e kriminelë. Qe gjashtë vjet në pushtet, ka mbetë tu folë për të kalumen, në vend se me kry punët për të cilat është zgjedhë”, ka shkruar ajo.
Deputetja e LDK-së ka thënë se, ndryshe nga Kurti, gjatë kohës kur ishte në Qeveri është marrë me punë, ndërsa në opozitë do të vazhdojë të kundërshtojë atë që e quan propagandë të kryeministrit.
“Për dallim prej tij, unë kur kam qenë në qeveri kam punu, e në opozitë kam me vazhdu me ia ba demantin propagandës së tij, derisa t’i ndërrojmë pozicionet”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka shtuar se qytetarët e kanë votuar për qëndrimet e saj politike, duke përmendur edhe shpërndarjen e nga 100 eurove për qytetarët në periudha zgjedhore.
“Në tri palë zgjedhjet e fundit, qytetarët pikërisht për këtë më kanë votu, ani pse asnjërit prej tyre s’i ka shku SMS që ja kam qitë 100 euro në konto në kohë zgjedhjesh”, ka përfunduar Bajrami./lajmi.net/