Bajrami: Hajnia më e madhe në këtë mandat po bëhet përmes faturave të rrymës – Rizvanolli publikoi kontrata që ta shohim sa e prej kujt po blejmë rrymë

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami me anë të një konference për media ka folur në lidhje me zhvillimet në sektorin e energjisë, saktësisht me konferencat e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje. Bajrami e filloi konferencën duke thënë që hajnia më e madhe po bëhet përmes faturave të energjisë, transmeton lajmi.net. “Hajnia më e madhe që…

Lajme

06/12/2025 11:37

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami me anë të një konference për media ka folur në lidhje me zhvillimet në sektorin e energjisë, saktësisht me konferencat e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Bajrami e filloi konferencën duke thënë që hajnia më e madhe po bëhet përmes faturave të energjisë, transmeton lajmi.net.

“Hajnia më e madhe që po u bëhet qytetarëve të Kosovës gjatë këtij mandati, është pikërisht hajnia përmes faturave të energjisë elektrike.”, tha ajo fillimisht.

Tutje, Bajrami u shpreh se VV është në panik për shkak të fakteve të publikuara në lidhje me keqpërdorimet në sektorin e energjisë.

“Për shkak të gjeturave dhe fakteve të publikuara këto ditë, VV është në panik. Pas dështimit të konferencës së Armend Mujës, dje e kemi parë që doli në konferencë tashmë e vetquajtura ministre e Ekonomisë, znj.Rizvanolli, e cila nuk qe në gjendje të zbardh asnjë fakt, aq më pak të demantoj ndonjë prej fakteve të cilat këto ditë i kemi shpërfaqur. Znj.Rizvanolli e nisi konferencën duke thënë që asnjë anëtar i VV-së dhe i qeverisë nuk ka lidhje me EFT-në e Vuk Hamoviqit. Ne në fakt lidhjet ia kemi lënë që t’i zbuloj Prokuroria Speciale e cila tashmë ka nisur hetimet dhe të dyja ne(Hykmete Bajrami dhe Janina Ymeri) i kemi deponuar dëshmitë tona sa i përket keqpërdorimeve në sektorin e energjisë.”, vazhdoi ajo.

Nënkryetarja e LDK-së shtoi se nën qeverisjen e VV-së, Kosova ka importuar 811 milionë euro rrymë.

“Ajo gjithashtu tha se Kosova nuk importon energji elektrike nga EFT-ja e Vuk Hamoviqit. Jo, Kosova në shumicën e rasteve ka importuar energji elektrike nga NOA, por ajo që ne e kemi thënë në bazë të të dhënave të SEECAO, shihet qartë që EFT-ja e Vukut, viteve të fundit e ka monopolizu tregun e kapaciteteve transmetuese të energjisë. E, kush i pagun kostot e importit dhe transportit të enegjisë? Normalisht që i pagujnë qytetarët përmes faturave. EFT-ja i ka fitu shumicën e ankandëve vjetore, mujore dhe ditore në bazë të dhënave të SEECAO të cilat janë publike dhe duke marrë parasysh faktin që gjatë Qeverisjes së Kurtit 2021-2025, Kosova ka importu 811 milionë euro energji elektrike, anashkalimi i EFT-së është gati i pamundur, pasi ai bën rezervimin e kapaciteteve transmetuese dhe e ka monopolin në këtë treg.”, tha Bajrami.

Ajo kërkoi nga Artane Rizvanolli që të publikoi kontratat se prej kujt blen rrymë Kosova dhe nga e ka origjinën.

“Ish-ministrja tha se EFT-ja i përdor këtë kapacitete vetëm tranzit, por të dhënat paraqesin diçka tjetër. Kostot e transportit të energjisë për Kosovën rriten deri në 84 herë në ditë, atëherë kur bien blloqet e KEK-ut dhe kjo nuk mendoj se dikush mund të besoj se është rastësi. Znj. Rizvanolli tha se Kosova nuk ka kontratë me EFT-në, por ajo nuk po tregon se me kë ka kontrata. Ne nga këtu, për të disatën herë, i bëjmë thirrje znj.Rizvanolli, institucioneve përkatës, që t’i publikojnë kontratat dhe ne të dijmë se prej kujt po blejm energji, sa po blejm energji, ku është origjina e energjisë që ne po e importojmë dhe sa po paguan Kosova për kostot e transportit. Znj.Rizvanolli tha se Qeveria nuk po importon energji. Më lejoni të ju them që Qeveria kurrë nuk ka importuar energji, as atëherë kur z.Kurti fliste për mafinë energjetike. Ka importu KEK-u me një kohë, tash importon KESCO, KEDS dhe etnitete të tjera.”, tha ajo ndër të tjera./lajmi.net/