Bajrami deklarohet pas takimit në ZRrE: Thanë se vetëm qeveria mund ta shtyjë vendimin për shtrenjtimin e rrymës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot tek Zyra e Rregullatorit për Energji kërkesën për anulimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike prej 16.1 përqind si dhe kërkesën që 1300 biznese të kalojnë në tregun e lirë energjetik. Pas kësaj, para mediave foli deputetja Hykmete Bajrami. Bajrami tha se nga ZRRE nuk morën përgjigje…

Lajme

12/05/2025 12:51

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot tek Zyra e Rregullatorit për Energji kërkesën për anulimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike prej 16.1 përqind si dhe kërkesën që 1300 biznese të kalojnë në tregun e lirë energjetik.

Pas kësaj, para mediave foli deputetja Hykmete Bajrami.

Bajrami tha se nga ZRRE nuk morën përgjigje pozitive se do ta shqyrtojnë kërkesën e deputetëve dhe se për shtyrjen e vendimit për shtrenjtim të rrymës mund të kryejë punë vetëm qeveria përmes subvencionimit “prej 50 milionë eurosh”.

“Biseduam për një orë, gjerë e gjatë. Kishte plot arsyetime, nuk morën përgjigje pozitive për shqyrtimin dhe trajtimin e kërkesës. Sipas tyre një vendim të tillë mund ta shtyjë vetëm qeveria, kushdo që është duke e ushtruar detyrën; sepse bëhet fjalë për 50 milion euro diferencë në çmim e cila duhet të vijë nga subvencionim nga paratë e shtetit, përndryshe e lënë vendimin në fuqi”,deklaroi Bajrami.

Ajo tha se janë në mbrojtje të sektorit privat, që është aktori më i madh i punësimit në vend.

“Ajo çka ne argumentuan dhe mendojmë që nuk janë pjekur kushtet për zbatim të kësaj për treg të hapur – është që ne në treg sa i përket furnizimit me energji nuk kemi konkurrencë. Kanë marrë kërkesë vetëm përmes KESCO-s e cila ka ofertu çmim 260% më të lartë. Jemi këtu për të mbrojtur sektorin privat, që është aktori më i madh i punësimit në vend.Ngritja e çmimeve do të sjellë valë të re të inflacionit që do të jetë e papërballueshme”, tha Bajrami”./Lajmi.net/