Bajraktari shpjegon çfarë mund të bëjë Kuvendi pas kthimit të Ligjit për Specialen nga Presidentja
Avokati Ardian Bajraktari ka komentuar kthimin për rishqyrtim të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar nga Presidentja e Kosovës, duke shpjeguar se cilat janë mundësitë e Kuvendit në këtë situatë. Në një shkrim në Facebook, Bajraktari ka ngritur si çështje kryesore nëse Kuvendi mund ta ndryshojë ligjin për t’i adresuar…
Lajme
Avokati Ardian Bajraktari ka komentuar kthimin për rishqyrtim të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar nga Presidentja e Kosovës, duke shpjeguar se cilat janë mundësitë e Kuvendit në këtë situatë.
Në një shkrim në Facebook, Bajraktari ka ngritur si çështje kryesore nëse Kuvendi mund ta ndryshojë ligjin për t’i adresuar vërejtjet e Presidentes apo duhet vetëm ta votojë përsëri tekstin ekzistues.
Për ta shpjeguar këtë, ai i është referuar Kushtetutës së Kosovës dhe një vendimi të mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese, të njohur si rasti KO57/12. Ky rast kishte të bënte me një ligj për pensionet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas Bajraktarit, vendimi i atëhershëm mund të ndihmojë për ta kuptuar situatën aktuale, por nuk mund të zbatohet automatikisht, pasi bëhet fjalë për raste të ndryshme.
Ai ka ngritur gjithashtu çështjen e arsyeve që Presidentja ka paraqitur për kthimin e Ligjit për Specialen. Sipas tij, në vendim nuk janë sqaruar mjaftueshëm nenet konkrete që konsiderohen problematike dhe mënyra se si ato mund të cenojnë interesat e Kosovës.
Megjithatë, Bajraktari thekson se kjo mungesë e shpjegimeve të hollësishme nuk do të thotë automatikisht se vendimi i Presidentes është në kundërshtim me Kushtetutën.
Sa i përket hapave të mëtejmë, ai vlerëson se Kuvendi duhet t’i shqyrtojë me kujdes arsyet e kthimit të ligjit dhe të vendosë nëse nevojiten ndryshime.
Nëse propozohet ndryshimi i ligjit, sipas tij, duhet të sqarohet nëse këto ndryshime mund të bëhen gjatë rishqyrtimit apo nëse duhet të ndiqet procedura e zakonshme për miratimin e një ligji.
“Rasti KO57/12 nuk duhet përdorur as për ta përjashtuar paraprakisht mundësinë e ndryshimit të ligjit, as për ta legjitimuar çdo ndryshim pa një analizë të veçantë kushtetuese”, ka shkruar Bajraktari.
Ai ka propozuar që Komisioni për Legjislacion t’i shqyrtojë arsyet e Presidentes dhe të përcaktojë se cilat pjesë të ligjit lidhen me to. Më pas, Kuvendi duhet të qartësojë mënyrën e votimit dhe shumicën e nevojshme për vendimmarrje, duke respektuar Kushtetutën.
Pra, çështja kryesore, sipas Bajraktarit, është që Kuvendi të gjejë mënyrën e duhur për ta trajtuar ligjin e kthyer, pa anashkaluar procedurat kushtetuese. /Lajmi.net/