Bajçinovci nuk e do Limajn si kryeparlamentar, por veç në Qeveri: Është më e shëndetshme

Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, ka thënë se ka zhvillime sa i përket mundësisë që të konstituohet Kuvendi, teksa ka konfirmuar se takimet me Nismën po vazhdojnë. “Mendoj se ka zhvillime, me Nismën ka pasur takime, po vazhdojnë bisedimet, por kryetari i Kuvendit na takon neve. Ata po na e caktojnë kryetarin e Kuvendit, po…

Lajme

06/06/2025 23:23

Deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, ka thënë se ka zhvillime sa i përket mundësisë që të konstituohet Kuvendi, teksa ka konfirmuar se takimet me Nismën po vazhdojnë.

“Mendoj se ka zhvillime, me Nismën ka pasur takime, po vazhdojnë bisedimet, por kryetari i Kuvendit na takon neve. Ata po na e caktojnë kryetarin e Kuvendit, po thonë se votojmë Albulena Haxhiun, po e votojmë këtë e atë”, është shprehur ai.

Bajqinovci ka potencuar se partitë tjera duhet ta votojnë kryetarin e Kuvendit dhe më pas ta provojnë VV-në nëse i ka numrat për formim të qeverisë.

Sipas tij, pas votimit të kryetarit, do të ketë koalicion me Nismën.

“Unë mendoj se kryeministri Kurti e ka qartësuar shumë thjeshtë, votojeni kryetarin e Kuvendit dhe na provoni pastaj a i kemi numrat sepse pastaj kemi afat 15 ditë dhe më s’mund ta shtyjmë, 15 ditë, nëse s’i kemi numrat, është i dyti. Unë mendoj se koalicioni do të jetë, në momentin që votohet kryetari i Kuvendit. Unë besoj se pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit do të ketë koalicionin me Nismën e Fatmir Limajt. Këta nuk i kanë numrat prandaj po bllokojnë. S’mund të jetë secili deputet kryetar i Kuvendit, duhen kritere, siç ka qenë Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu. Le të kalohet kjo fazë dhe të kalojmë në fazën për formimin e qeverisë. I kemi votat ne, e bëjmë, s’i kemi, e bën partia e dytë. Ne e bëjmë me Nismën, besoj mjaftojnë. E them me plot siguri që mjaftojnë”, ka thënë Bajqinovci për Blic.

Deputeti i VV-së shprehet i bindur se me Limajn mund të kenë koalicion, por thotë se ai është mirë të jetë në qeveri pasi me 3 deputetë nuk i takon posti i kryeparlamentarit.

“Unë nuk e di nëse kanë biseduar për çështjen e kryetarit të Kuvendit. Mendoj se Fatmir Limaj më mirë të jetë në qeveri, sepse me 3 deputetë s’mund të jetë kryetar i Kuvendit. Z.Limaj të jetë në qeveri, mendoj se është më e shëndetshme pasi LDK refuzoi që të hyjë në koalicion me neve, por pozita e kryetarit të Kuvendit na takon neve”, ka deklaruar deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci.