​Badoci, vendpeshkimi që i bashkon komunitetet

Prej dekadash, liqeni i Badocit është një Kosovë në miniaturë. Nëpër brigjet e këtij masivi ujor, shihen peshkatarë nga komunitetet të ndryshme që e gjejnë qetësinë dhe bashkëpunimin mes vete. Dhe kjo, nga orët para mëngjesit deri te ato të vona në mbrëmje, pasi të gjithë ndihen të sigurt për të dalë e peshkuar. Ndër…

Lajme

24/05/2026 12:49

Prej dekadash, liqeni i Badocit është një Kosovë në miniaturë.

Nëpër brigjet e këtij masivi ujor, shihen peshkatarë nga komunitetet të ndryshme që e gjejnë qetësinë dhe bashkëpunimin mes vete.

Dhe kjo, nga orët para mëngjesit deri te ato të vona në mbrëmje, pasi të gjithë ndihen të sigurt për të dalë e peshkuar.

Ndër më të moccmit në këtë zonë është 68-vjeçari Mile Mikiq nga Graçanica që vjen rregullisht në liqenin e Badocit për t’iu përkushtuar hobit të tij. Ai tregon se në liqen peshkojnë bashkë me shqiptarë dhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera, ndërsa atmosfera mes tyre është miqësore.

Krahas ujit të liqenit që i mbledh pranë njëri-tjetrit, për Mikiq i cili është i pensionuar peshkimi është kthyer edhe mundësi për miqësi të sinqertë.

E mes bisedave, pritjes për të zënë peshk dhe orëve të gjata buzë liqenit, peshkatarët pavarësisht nga cili komunitet vijnë ndajnë ushqimin, ndihmojnë njëri-tjetrin me pajisje apo karreme për peshqit.

“Peshkojmë rregullisht, shoqërohemi me shqiptarët. Ky është sport për të gjithë ne, të gjithë peshkojmë këtu. Unë i respektoj rregullat e peshkimit; nëse zë krap që është i ndaluar, e lëshoj në ujë dhe kështu me radhë…. Po, peshkojmë dhe shoqërohemi. Edhe përmes peshkimit, por edhe përmes ushqimit që marrim me vete, hamë së bashku dhe kështu me radhë…. Korrekt. Ky është sport për të gjithë ne, korrekt. Shoqërohemi maksimalisht, jemi të respektuar edhe ne nga ana e tyre, edhe ne i respektojmë maksimalisht ata….. Po, po. Vijnë ata nëse nuk kanë marrë ushqim të mirë për peshqit, ne u japim atyre, pastaj ata na japin neve. Ndërrojmë krimbat e kështu”, ka deklaruar Mikiq.

Për Shpejtim Bajramin nga fshati Tradevë i Lipjanit, fundjava pranë liqenit të Badocit është momenti kur largohet nga lodhja dhe stresi i gjithë javës.

Si pjesëtar i komunitetit ashkali, ai thotë se peshkimi ka krijuar një hapësirë ku të gjithë ndihen të barabartë dhe të mirëpritur.

Gëzimi, sipas tij, nuk është vetëm kur zë vetë peshk, por edhe kur të tjerët arrijnë cakun e peshkimit e që është zënja e peshkut.

“Është një sport që i bashkon të gjithë edhe të gjithë kanë qejf të vijnë këtu dhe me qenë bashkë me zënë (peshk) e kur e shohim njëri-tjetrin që është duke zënë (peshk) më shumë gëzohemi ne sesa ai aty. Mirë kalojmë nuk është keq perfekt është pastër sigurinë e kemi në rregull nuk kemi problem me askëndë vijmë në ora 04:00 rrimë deri në 22:00, 23:00, ,24:00 pa asnjë telashe”, thotë ai.

Bajrami tregon se mes peshkatarëve në Badoc mbizotëron komunikimi, respekti dhe ndihma e ndërsjellë.

Sipas tij, ata flasin e bashkëpunojnë me të gjithë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike.

“Kemi komunikim me të gjitha dhe flasim me ta, i respektojmë, i ndihmojmë edhe ata na ndihmojnë neve jemi perfekt probleme nuk kemi kurrë gjatë peshkimit me ardhur dikush me na pengua ose em fol diçka me hedh diçka në ujë kurrë nuk ka ndodhur asnjëherë“…Ky sport nuk ka dallim a je shqiptar, serb apo ashkali, çka do qoftë që je ky sport nuk ka dallim, theksoi Bajrami.

Tash e më shumë se 20 vite, edhe Faton Berisha nga Hajvalia është një nga peshkatarët që frekuenton shpesh liqenin e Badocit për peshkim.

Për të, më shumë se sa relaksim, ky sport është një mënyrë që njerëzit i afron dhe i bën të kalojnë mirë dhe të krijojnë respekt e mirëkuptim me njëri-tjetrin.

“ Vijmë rregullisht problemi nuk kemi siguria është në nivel bashkëpunojmë me të gjitha komunitetet, shoqërohemi me ta…Peshkimi i bashkon njerëzit, në peshkim janë të gjithë të barabartë edhe kalojmë më së miri….Shkëmbejmë ushqimin për peshqi, ndonjë pjesë që na mungon diçka ndonjë tap të gjitha…Ky sport është relaksues dhe sport i mirë dhe i bashkon njerëzit”, deklaroi ai.

E si kryetar i Shoqatës “Krapi”, Ali Vitia, pothuajse çdo ditë e kalon pranë liqenit dhe mes peshkatarëve.

Ai thotë se pranë brigjeve të liqenit të Badocit të gjithë ndihen të barabartë, pasi të gjithë i bashkon i njëjti pasion, peshkimi.

Sipas tij, shoqata ka anëtarë nga komunitete të ndryshme, ndërsa dyert mbeten të hapura për këdo që dëshiron të bëhet pjesë e saj.

“Takoj komunitete të ndryshme këtu të gjithë janë të barabartë dhe asnjë nuk i intereson politika, por i intereson peshkimi dhe e kanë të realizuar atë qëllim që vijnë. Secili që vjen e ka peshko lësho dhe në rregull është…diku 90 peshkatarë janë të komunitetit serb kemi edhe ashkali kanë filluar të anëtarësohen edhe nga ambasada bullgare…shoqata jonë është e hapur për çdo komunitet pa dallim, pa kurrfarë dallimi përveç që kërkojmë të zbatohen rregullat e peshkimit”, theksoi ai.

Roja e liqenit të Badocit, Borivoj Stojanoviq thotë se puna e përbashkët me peshkatarët shqiptarë dhe komunitetet e tjera zhvillohet pa asnjë problem.

Për të, peshkimi është një aktivitet që i bashkon njerëzit dhe krijon një atmosferë bashkëjetese dhe respekti mes të gjithëve.

“Punojmë së bashku me shqiptarët, nuk ka asnjë problem, asgjë. Nuk ka rrjeta tani dhe gjithçka është në rregull, mirë…Të gjithë shoqërohemi këtu. Ky është sport dhe të gjithë shoqërohemi së bashku; edhe shqiptarët, edhe serbët, edhe romët, dhe nuk ka asnjë problem”, deklaroi roja e liqeni të Badocit./kp