Babai kosovar e merr në ISIS edhe djalin 8-vjeçar!!! (Video)

Inkuadrimi i kosovarëve në Siri ka marrë përmasa shqetësuese. Pranvera Abazi, 30 vjeçe, nga Prishtina, thotë se bashkëshorti i saj, Arbeni, kur shkoi në Siri para disa javësh, me vete dhe pa lejen e saj e mori edhe djalin, Erionin.

Lajme

25/08/2014 20:28

Fëmija i çiftit kosovar është vetëm 8-vjeçar dhe shihet në Siri në shoqërinë e luftëtarëve të ISIS-it. Pranvera kërkon me dëshpërim që kushdo që e mban djalin e saj ta kthejë sa më parë në Kosovë, raporton KTV.

Ka gati dy muaj që Pranvera Abazi imagjinon vetëm një skenë sa herë që nis dita e re – kthimin e djalit të saj, Erionit, në shtëpi. Erioni, 8 vjeç, që duhej të niste klasën e tretë javën e ardhshme, është në Siri. Atë e ka marrë me vete babai i tij, Arbeni, i cili ka shkuar atje për të luftuar krah ISIS-it dhe kundër forcave të Asadit.

Nëna e tij është tmerruar kur ka parë sot fotot e para që prej largimit të dhunshëm të djalit. Ai shihet me të tjerë fëmijë dhe me luftëtarë të rritur, me gishtin lart – shenjë që Zoti është një – dhe me flamurin e ISIS-it. Pranvera, 30 vjeçe, kujton momentin kur e ka parë për herë të fundit djalin e saj, pasi që bashkëshorti i kishte thënë se po shkonin për disa ditë në Rugovë.

Një javë më pas gjithçka që ka marrë Pranvera është ky mesazh nga Arbeni, në të cilin ai vetëm i tregon se bashkë me Erionin është në Siri.

Pranvera thotë për KTV-në se kurrë nuk e ka menduar që Arbeni do të mund ta merrte djalin me vete, edhe pse vetë kishte dhënë shenja se do të shkonte për të luftuar.

Në gjithë këto javë, Pranvera ka folur vetëm një herë me Erionin në telefon.

Policia e Kosovës ka bashkëpunuar gjithë këtë kohë me familjen dhe po bën gjithçka që është e mundur të gjejë rrugë për ta kthyer fëmijën në shtëpi.

Si Erioni besohet se ka edhe të tjerë fëmijë kosovarë në Siri. Pjesë e luftimeve të ISIS-it në Siri e Irak janë edhe fëmijë të moshës 12-13 vjeçare. Pasi e ka sulmuar në Irak, SHBA-ja po planifikon ta sulmojë këtë organizatë edhe në Siri.

Në çfarëdo rrethane, Pranvera vazhdon të shpresojë që Erionin do ta lejojnë të kthehet aty ku është më i sigurti – pranë nënës së tij.