B2 jashtë funksionit, vështirësohet furnizimi me energji
Të shtunën në orët e hershme të mëngjesit ka rënë nga prodhimi njësia B2 e Termocentralit Kosova B e KEK-ut, e cila ka kthyer reduktimet me furnizim të energjisë elektrike në ven.

Lajme
Sipas një njoftimi nga KEDS, rënia e kësaj njësie ka shkaktuar mungesë të rreth 250 megavateve për orë.
“Pasi të gjitha proceset në sektorin e energjisë bëhen në pajtim me planifikimet paraprake, kjo ka rënduar furnizimin me energji elektrike, kur dihet se B2 përbën rreth 35 për qind të prodhimit vendor. Pra, rënia e tij ka shkaktuar një mungesë të menjëhershme të rreth 250 megavatë/orë”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se KEDS dhe KEK po angazhohen maksimalisht që kjo situatë emergjente të tejkalohet sa më shpejt.
“KEDS ka vepruar menjëherë duke siguruar import prej 150 megavatë/orë shtesë, përderisa KEK ka siguruar 100 megavat/orë të tjerë. Pra, sasia që e prodhon ky bllok tashmë është e siguruar. Por, fatkeqësisht importi nuk mund të jetë efektiv para 2 orësh për shkak të rregullave ndërkombëtare. Prandaj, situata pritet të normalizohet në orën 12:00 kur do të jetë efektiv importi dhe nuk do të ketë më reduktime”.