AZhB njofton: Vazhdojnë pagesat direkte për fermerët – publikohet lista e përfituesve
Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB) ka njoftuar se po vazhdon ekzekutimin e pagesave direkte për fermerët përfitues në kuadër të programit të subvencionimit. Sipas njoftimit të AZhB-së, deri më tani janë ekzekutuar pagesa në vlerë të përgjithshme prej 16 milionë e 993 mijë e 414.62 eurosh, për fermerë dhe biznese përfituese në sektorin e…
Lajme
Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB) ka njoftuar se po vazhdon ekzekutimin e pagesave direkte për fermerët përfitues në kuadër të programit të subvencionimit.
Sipas njoftimit të AZhB-së, deri më tani janë ekzekutuar pagesa në vlerë të përgjithshme prej 16 milionë e 993 mijë e 414.62 eurosh, për fermerë dhe biznese përfituese në sektorin e bujqësisë, transmeton lajmi.net.
Nga këto pagesa, në sektorin e blegtorisë kanë përfituar 1 mijë e 712 fermerë, me një vlerë të përgjithshme prej 1 milion e 266 mijë e 330 eurosh.
Ndërkaq, për sipërfaqet bujqësore janë realizuar pagesa për 10 mijë e 973 fermerë, në vlerë prej 14 milionë e 438 mijë e 34.26 eurosh.
Pagesa janë ekzekutuar edhe për 294 biznese, me një vlerë të përgjithshme prej 1 milion e 289 mijë e 50.36 eurosh.
AZhB-ja ka bërë të ditur se listat e përfituesve janë publikuar në uebfaqen zyrtare të institucionit dhe mund të konsultohen përmes linkut: https://azhb-rks.net/sq/lista-e-perfituesve
Sipas Agjencisë, procesi i ekzekutimit të pagesave po vazhdon, ndërsa në kuadër të këtij programi kanë aplikuar gjithsej 33 mijë e 460 fermerë.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, së bashku me Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, kanë ritheksuar përkushtimin për realizimin e pagesave të parapara dhe mbështetjen e fermerëve, me synim zhvillimin dhe fuqizimin e sektorit të bujqësisë në vend./lajmi.net/