AVONET: Vendimi i OSHP-së për Komunën e Prishtinës bie ndesh me vetë qëllimin e ekzistencës së OSHP-së
AVONET shpreh shqetësim të thellë lidhur me vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, i cili e ka shpallur “jashtë juridiksionit” ankesën e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” ndaj Komunës së Prishtinës, në lidhje me aktivitetin e prokurimit “Menaxhimi i Mbeturinave”. Ky vendim përbën një shkelje flagrante të parimeve të prokurimit publik, duke injoruar fakte, prova…

Lajme
AVONET shpreh shqetësim të thellë lidhur me vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, i cili e ka shpallur “jashtë juridiksionit” ankesën e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” ndaj Komunës së Prishtinës, në lidhje me aktivitetin e prokurimit “Menaxhimi i Mbeturinave”.
Ky vendim përbën një shkelje flagrante të parimeve të prokurimit publik, duke injoruar fakte, prova dhe rrethana të dokumentuara që dëshmojnë shkelje të drejtpërdrejta të Ligjit për Prokurimin Publik nga ana e Komunës së Prishtinës. OSHP, edhe pse ka pasur në dispozicion të gjitha elementet thelbësore për të shqyrtuar dhe anuluar këtë aktivitet të dyshimtë të prokurimit, ka vendosur të vetëshpallet jokompetente në mënyrë të pajustifikuar dhe kundërligjore.
Vendimi i OSHP-së bie ndesh me vetë qëllimin e ekzistencës së këtij institucioni, që është mbrojtja e interesit publik dhe ligjshmërinë e procedurave të prokurimit. Duke mos e vlerësuar në asnjë moment pretendimin për shkeljen e nenit 9 të Ligjit për Prokurim Publik, që ankuesi kishte si pretendim, OSHP ka kryer një shkelje të rëndë procedurale, pasi ka dështuar të adresojë një prej çështjeve kyçe të ngritura në ankesën e KRM “Pastrimi”.
Ky nen obligon autoritetet publike që para çdo procedure tenderimi të shqyrtojnë nëse shërbimi mund të ofrohet nga një autoritet tjetër publik. Në rastin konkret, ekziston një autoritet publik, KRM “Pastrimi”, i cili tashmë ofron shërbimin, Komuna e Prishtinë posedon 77.4% të aksioneve dhe ka kapacitete të dëshmuara për ta kryer atë shërbim në mënyrë efikase. Fakti që OSHP e ka injoruar këtë detyrim ligjor, duke mos e shqyrtuar fare thelbin e problemit, përbën një dështim institucional.
Edhe pse ekspertja shqyrtuese kishte rekomanduar anulimin e njoftimit për kontratë dhe kthimin e lëndës në Autoritetin Kontraktues për rishqyrtim, për të mundësuar rivlerësimin e aktivitetit të prokurimit në përputhje me nenin 9.4 të LPP-së. Megjithatë, Paneli Shqyrtues e ka anashkaluar këtë rekomandim profesional, duke e injoruar thelbin e çështjes.
Po ashtu, konstatimi i OSHP-së se KRM “Pastrimi” nuk ka interes material, është tërësisht i pabazë. Kjo kompani ka dëshmuar qartë se nëse tenderi i jepet një operatori privat, ajo rrezikon falimentimin.
Ky fakt përbën interes material të drejtpërdrejtë sipas përkufizimit të “palës së interesuar” në kuptim të nenit 4 të LPP-së, dhe si i tillë e obligonte OSHP-në ta shqyrtonte ankesën në përmbajtje. Ky vendim, përveçse teknikisht i papranueshëm, krijon precedent të rrezikshëm për mënjanimin e ndërmarrjeve publike nga proceset e prokurimit në mënyrë të paarsyeshme dhe të kundërligjshme.
Në ankesën e saj, KRM “Pastrimi” kishte paraqitur dëshmi të qarta të dëmit financiar që do të i shkaktohej buxhetit publik në rast të realizimit të këtij tenderi.
Ndërmarrja ka argumentuar se, krahasuar me tarifën ekzistuese prej 6.20 euro për njësi banimi, oferta e përfshirë në tenderin e Komunës së Prishtinës arrin një vlerë prej 80 euro për ton mbeturinë, duke çuar në një kosto totale prej mbi 21 milionë euro për tri vite. Ky dallim mbi 5 milionë euro më shumë se shërbimi aktual nga ndërmarrja publike përbën një dëm të drejtpërdrejtë për buxhetin publik dhe është në kundërshtim me nenin 6 të LPP-së, që obligon përdorimin efikas dhe ekonomik të fondeve publike.
Për më tepër, Komuna e Prishtinës ka anashkaluar në mënyrë të qëllimshme mundësinë e kontratës “në shtëpi” me KRM “Pastrimi”, edhe pse kjo është e mundur në përputhje me nenin 9 të LPP-së dhe interpretimet zyrtare të Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik. E gjithë kjo është bërë pa përpiluar deklaratën e nevojave dhe disponueshmërisë së fondeve siç e kërkon ligji, duke përbërë një tjetër shkelje ligjore e administrative.
Përmes këtij vendimi, OSHP ka dështuar të mbrojë interesin publik dhe ka lejuar që një proces i dyshimtë prokurimi të mos trajtohet në përmbajtje, pavarësisht pasojave të mëdha financiare dhe institucionale. AVONET i bën thirrje OSHP-së që të rishqyrtojë me urgjencë këtë rast dhe do adresojë çështjen në Prokurorinë e Shtetit lidhur me procedurat dhe vendimmarrjen e këtij rasti.
Institucionet nuk duhet të veprojnë në mënyrë dhe logjikë përjashtuese ndaj kompanive publike, veçanërisht kur këto kompani janë në aksione të vetë autoriteteve kontraktuese dhe janë të dëshmuara në kapacitetet operacionale të tyre.
Të veprosh ndryshe është të përjashtosh vetveten, të dëmtojë buxhetin publik dhe të favorizosh operatorë të caktuar në mënyrë të paarsyeshme.
AVONET thotë se do të vazhdojë të ndjekë këtë rast nga afër dhe të angazhohet për mbrojtjen e interesit publik dhe të ligjshmërisë në të gjitha procedurat e prokurimit në Kosovë.