Avokatja e Jakup Krasniqit: Aktgjykimi është zhgënjyes dhe do ta apelojmë atë
Avokatja e Jakup Krasniqit ka bërë të ditur se mbrojtja do ta apelojë aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë, duke e cilësuar atë si zhgënjyes. Ajo ka thënë se synimi i mbrojtjes mbetet lirimi i Krasniqit dhe se procesi ende nuk ka përfunduar. “Do të apelojmë për Jakup Krasniqin. Rezultati do të ishte lirimi i…
Lajme
Avokatja e Jakup Krasniqit ka bërë të ditur se mbrojtja do ta apelojë aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë, duke e cilësuar atë si zhgënjyes.
Ajo ka thënë se synimi i mbrojtjes mbetet lirimi i Krasniqit dhe se procesi ende nuk ka përfunduar.
“Do të apelojmë për Jakup Krasniqin. Rezultati do të ishte lirimi i Jakup Krasniqit. Jemi ende në proces dhe do të dëgjoni lajme nga ne. Siç thashë, aktgjykimi është zhgënjyes dhe do ta apelojmë atë”, ka deklaruar avokatja.
Ajo ka bërë të ditur se ende nuk ka biseduar me Krasniqin pas shpalljes së aktgjykimit, ndërsa ka thënë se do të flasë me të nesër.
Ndryshe, Gjykata Speciale e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 25 vjet burgim ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi lidhur me akuzat për krime lufte, ku akuzohet bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Rexhep Selimin.
Aktgjykimi u shpall nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Sipas vendimit, Krasniqi u shpall fajtor për katër akuza për krime lufte: Arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), për Trajtim mizor (Pika 5), për Torturë (Pika 7), dhe për Vrasje e paligjshme (Pika 9).
Ndaj tij, u shpall dënim unik me 25 vjet burgim.
Kurse, gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit: Përndjekje (Pika 1), Burgosje (Pika 2), Akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), Torturë (Pika 6), Vrasje e paligjshme (Pika 8), Zhdukje me forcë e personave (Pika 10), kanë rënë ngase nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer këto vepra.
Sa i përket rrethanave rënduese, Smith tha se trupi gjykues i dha peshë keqpërdorimit të pushtetit që kishte Krasniqi. Konstatoi se përdori pozitën, rolin udhëheqës, pushtetin dhe statusin e tij për zbatimin e aspekteve kriminale të qëllimit të përbashkët.
Ndërkaq, rrethana lehtësuese u morën mosha e Krasniqit, rrethanat familjare dhe faktit që Krasniqi ka treguar sjellje të mirë gjatë procesit gjyqësor.