Avokati i reagon Trendafilovas për protestën e veteranëve: T’i bëhet me dije se liria e tubimit është e garantuar

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka deklaruar se protesta e organizuar ndaj saj gjatë vizitës së fundit që ajo zhvilloi në Kosovë “tregon se sa e vështirë do të ishte të garantoheshin gjyqe të sigurta si dhe zhvillim i qetë e pa pengesa e procedurave gjyqësore, nëse ato do të zhvilloheshin në Kosovë”. Ndaj…

Lajme

28/05/2025 17:05

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka deklaruar se protesta e organizuar ndaj saj gjatë vizitës së fundit që ajo zhvilloi në Kosovë “tregon se sa e vështirë do të ishte të garantoheshin gjyqe të sigurta si dhe zhvillim i qetë e pa pengesa e procedurave gjyqësore, nëse ato do të zhvilloheshin në Kosovë”.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar avokati Ardian Bajraktari, i cili mes tjerash ka thënë se një proces gjyqësor duhet të jetë i drejtë pavarësisht ku mbahet.

‘‘Procesi gjyqësor, pavarësisht ku mbahet, duhet me qenë i drejtë

Përgjegjësja, ndër më të mëdhatë për lejimin e stërkeqjes së procesit gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së, paska dhënë aludime të natyrës paragjykuese se çka do të ndodhte nëse ky proces do të zhvillohej në Kosovë’’, ka thënë ai.

Tutje, avokati ka shtuar se Trendafilovas duhet t’i bëhet ‘‘me dije’’ se liria e tubimit është e garantuar dhe se transparenca e procesit gjyqësor është rregull.

‘‘Zonjës së nderuar do bërë me dije se liria e tubimit është e garantuar dhe se transparenca e procesit gjyqësor është rregull, po ashtu barazia e palëve është ndër kushtet themelore për një proces të drejtë sipas ligjit, e këto parime nuk janë marrë në konsideratë, për çka e bëjnë përgjegjëse për lejimin e shkeljeve të shumta përgjatë pesë vjetëve të këtij procesi’’, ka shtua ai.

Në fund, i njëjti ka thënë se reagimet ndaj padrejtësive, janë thirrje për reflektim.

‘‘Procesi gjyqësor, pavarësisht ku mbahet, duhet me qenë i drejtë. Reagimet ndaj padrejtësive, janë thirrje për reflektim, janë thirrje për drejtësi!’’, ka përfunduar ai.