Avokati i Popullit kërkon përjashtimin e kryetarit Hasani nga Kushtetuesja (Video)
Avokati i popullit, Sami Kurteshi, thotë se kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, është marrë me një rast, ende pa u dërguar ai në Gjykatë, ku edhe është mashtruar opinioni publik, kinse një gjë e tillë është bërë me kuorum.
Lajme
Pa praninë e asnjë përfaqësuesi nga Gjykata Kushtetuese të hënën në komisionin për legjislacion, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi ka dhënë detaje mbi raportin e dorëzuar në Kuvend që kërkesë kryesore ka heqjen e kufizimit ligjor prej gjashtë muajsh, për referimin e çështjeve të Avokatit të Popullit në Kushtetuese.
Sipas Kurteshit, një gjë e tillë e dëmton interesin publik, ndërsa dyshimet që hedh ai për këtë kufizim të bërë, janë se po bëhet për shkak të ngarkesës që mund ta ketë Kushtetuesja.
“Kërkesa është një, që të hiqet kufizimi ligjor prej gjashtë muajsh për referimin e çështjeve të Avokatit të Popullit në Gjykatën Kushtetuese, asgjë tjetër. Vetëm ky ka qenë qëllimi i këtij raporti”.
“Motivi i kufizimit realisht mund vetëm të spekulohet. Në raste tjera nga përvoja bëhet për shkak të ngarkesës së pranuesit të Gjykatës Kushtetuese. Unë mendoj, se nga frika e ngarkesës së Gjykatës Kushtetuese është bërë një kufizim i tillë. E vetmja gjë që mund të ndryshohet është heqja kur të shihet ndonjë mangësi në ligj”, tha Kurteshi në prani të anëtarëve të këtij komisioni.
Ai përmendi edhe hulumtimin e një raporti të UP-së, ku tha se janë gjetur shkelje, sidomos sa i përket diskriminimit të studentëve të kategorive të dala nga lufta.
Por, në një deklaratë për media jashtë sallës së Komisionit Parlamentar, Kurteshi ka treguar se institucioni i tij ka bërë kërkesë për përjashtimin e kryetarit të Kushtetueses, Enver Hasanit, sipas tij, shkaku i disa shkeljeve ligjore.
“Ne kemi bërë kërkesë për përjashtimin e zotit Hasani nga trajtimi i një rasti dhe nga Gjykata Kushtetuese, sepse, ai ka marrë pjesë në trajtimin e një rasti ende pa u dërguar ai në gjykatë. Dhe, kjo është e ndaluar shprehimisht në ligjin e Gjykatës Kushtetuese”.
“Kemi disa dëshmi me të cilat kemi konstatuar se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të jetë një mashtrim i opinionit sepse aty ka dalë emri i gjykatësit Carolan, ku dëshmohet se gjykata me atë rast ka pasur kuorum. Ne kemi dëshmi se s’ka pasur kuorum sepse vetë ky gjykatës thotë se s’ka kuorum”.
“Por ne nuk mund t’i caktojmë afat kohor as zotit Hasani dhe as presidentes kur ta bëjnë këtë punë. Nuk e kemi atë të drejtë ligjore dhe as kompetencën. Ne i dërgojmë letrat bazuar”, tha ai.