Avokati i Popullit: Bllokada në Kuvend po pengon ligjet kyçe dhe demokracinë

Mungesa e konstituimit të Kuvendit të Kosovës po pengon proceset kyçe legjislative, me ç’rast po ndikon drejtpërdrejt në të drejtat e qytetarëve. Kështu deklaroi për RTK-në avokati i Popullit, Naim Qelaj. Ai theksoi se situata nuk është e mirë dhe jashtë frymës së funksionimit demokratik. “Natyrisht situata është e rëndë, e papranueshme dhe nuk është…

Lajme

15/06/2025 23:57

Mungesa e konstituimit të Kuvendit të Kosovës po pengon proceset kyçe legjislative, me ç’rast po ndikon drejtpërdrejt në të drejtat e qytetarëve.

Kështu deklaroi për RTK-në avokati i Popullit, Naim Qelaj.

Ai theksoi se situata nuk është e mirë dhe jashtë frymës së funksionimit demokratik.

“Natyrisht situata është e rëndë, e papranueshme dhe nuk është në frymën e e funksionimit demokratik të institucioneve të shtetit, sepse mungesa e konstituimit të Kuvendit lë shumë procese mbrapa dhe sidomos planin legjislativ, nevojën për ndryshim të plotësim të ligjeve, nevoja për nxjerrjen e ligjeve të reja, ato që kanë qenë në planin e legjislaturës së kaluar, padyshim afektojnë dhe ndikojnë shumë dukshëm në drejtat e njeriut”.

Sipas Çelajt, kjo bllokad po pengon miratimin e ligjeve kyçe që janë jetike për zhvillimin institucional dhe për avancimin e të drejtave të njeriut në vend.

“Qytetarët presin që institucionet të themelohen. Kjo ka qenë edhe vullnet i shprehur në zgjedhjet e fundit dhe zvarritja e këtij procesi, natyrisht dëmton në tërësi krejt demokracinë e ndërtuar me kaq mund e sakrificë për këto 25 vite të ekzistencës së Kosovës si shtet”, ka deklaruar Qelaj.

Avokati i Popullit thekson se votuesit tashmë po e përjetojnë një shkelje të drejtpërdrejtë të së drejtës së tyre demokratike.
“Fakti që votuesi e ka shprehur prej vullnetin përmes të drejtës për votë dhe mungesa e konsiderimit të institucioneve paraqet një shkelje të të drejtave që ata në mënyrë demokratike me i zgjedhë dhe me i funksionalizu institucionet e veta që do t’i udhëheqë në proceset e ndërtimit dhe të avancimit të shoqërisë tonë në ato politika që janë përcaktu si shtet”, shtoi ai.

Por a ka avokati i popullit instrument për të ndikuar në tejkalimin e kësaj situate?

“Avokati i Popullit është i kufizum në këtë aspekt, përveç qëndrimeve e opinioneve që mund me i shpreh dhe konstatimeve që mund me i dhanë aty ku ne konstatojmë që ka shkelje e të drejtave të njeriut si pasojë e mos konstituimit të institucioneve, nuk është që kemi ndonjë mjet tjetër në dispozicion. Mendoj që vullneti vullneti i klasë politike duhet të ekzistojë në themelim të institucioneve, në konsiderim të institucionevedhe të mos presin zgjidhje nga mekanizmat tjerë institucionalë, sepse mendoj dhe jam i bindur që kjo nuk është as zgjidhje gjyqësore, as zgjidhje ligjore. Është thjesht vullnet politik dhe respektim i vullnetit të votuesve në zgjedhat e fundit”, vijoi Avokati i Popullit.

Ndërkohë, deputetët as për të tridhjetë të njëjtën herë nuk arritën të konstituojnë Kuvendin. Kujtojmë që zgjedhjet për nivelin qendror janë mbajtur më nëntë shkurt të këtij viti.