Avokati Bajraktari kritikon ashpër Gjykatën Speciale: Përndjekje si në kohën e inkuizicionit ndaj Hashim Thaçit

Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Speciale, e cila ka vendosur t’i ndalojë ish-presidentit Hashim Thaçi takimet me tre vëllezërit e tij dhe 11 persona të tjerë. Ai e ka krahasuar këtë vendim me përndjekjet e kohës së inkuizicionit, duke e cilësuar si një masë joproporcionale, të paarsyeshme dhe…

Lajme

14/08/2025 21:25

Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Speciale, e cila ka vendosur t’i ndalojë ish-presidentit Hashim Thaçi takimet me tre vëllezërit e tij dhe 11 persona të tjerë.

Ai e ka krahasuar këtë vendim me përndjekjet e kohës së inkuizicionit, duke e cilësuar si një masë joproporcionale, të paarsyeshme dhe dëshmi e qartë për, siç tha ai, jo-normalitetin e këtij procesi gjyqësor, transmeton lajmi.net.

Bajraktari thekson se në rastin e parë, ku procedura është afër përfundimit, prokuroria ka dështuar të argumentojë pretendimin kryesor se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një ndërmarrje e përbashkët kriminale.

Ai shton se provat janë të pakredibilta dhe të pranuara nga një shtet që vetë ka kryer gjenocid. Ndërsa për rastin e dytë, që lidhet me pengimin e personave zyrtarë, avokati thekson se është e pabesueshme të pretendohet se një person që ka pesë vjet në paraburgim ka aftësi të pengojë dikë në kryerjen e detyrës zyrtare.

Sipas tij, trajtimi i Thaçit dhe të tjerëve në këtë proces është i padrejtë dhe i rëndë, duke goditur jo vetëm individët e përfshirë, por edhe vetë historinë dhe figurat që ai i cilëson si heronj të Kosovës.

Postimi i plotë: 

Përndjekje si në kohën e inkuizicionit!
Kufizimet ndaj z. Thaçi janë jo proporcionale, të pa arsyeshme, aq me tepër që procedura në rastin e parë është drejt fundit, kurse në rastin e dytë, procedura hetimore tashmë ka përfunduar, por, kjo tregon jo normalitetin e këtij procesi.
Procedurë si në kohën e inkuizicionit, pavarësisht të gjitha tentativave, dështuan ta argumentonin pretendimin kryesor në rastin e parë, nuk e argumentuan se UÇK mund të ishte ndërmarrje e përbashkët kriminale, me dëshmi dhe prova shumë jo kredibile të pranuara nga një shtet që ka kryer gjenocid.
Kurse në rastin e dytë, është iluzore të paramendohet se një person për afër pesë vjet në paraburgim ta pengojë ndonjë person në kryerjen e detyrës zyrtare, kur kihet parasysh fakti se forca apo kanosja serioze janë elemente që e përbëjnë figurën e kësaj vepre penale.
Përndjekja e inkuizicionit, është përvojë e njohur nga librat, por, këto që po ndodhin kundër heronjve tanë, kanë peshë të rëndë që godasin keq, padrejtësisht!/lajmi.net/