AUV urdhëron tërheqjen e produktit “Land” 3.2% nga tregu, u konstatua Aflatoksina M1 mbi nivelin e lejuar
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka pranuar informacion zyrtar nga autoritetet kompetente të Republikës së Maqedonisë së Veriut për konstatimin e Aflatoksinës M1 mbi nivelin e lejuar në qumështin UHT “Land” 3.2%. Sipas njoftimit të AUV-së, produkti është prodhuar nga ABRAZEN L.L.C. (Qumështorja VITA), në stabilimentin RKS-014. Në përputhje me nenin…
Lajme
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka pranuar informacion zyrtar nga autoritetet kompetente të Republikës së Maqedonisë së Veriut për konstatimin e Aflatoksinës M1 mbi nivelin e lejuar në qumështin UHT “Land” 3.2%.
Sipas njoftimit të AUV-së, produkti është prodhuar nga ABRAZEN L.L.C. (Qumështorja VITA), në stabilimentin RKS-014.
Në përputhje me nenin 16, paragrafin 1.2 të Ligjit Nr. 08/L-120 për Ushqim, sipas të cilit ushqimi konsiderohet i dëmshëm dhe jo i sigurt për njerëzit kur përmban mykotoksinë mbi kufirin e lejuar, AUV ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të qumështit UHT “Land” 3.2% të identifikuar si të prekur.
AUV ka bërë të ditur se ka filluar kontrollin zyrtar dhe verifikimin e gjurmueshmërisë së produktit.
Agjencia ka njoftuar se, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Shëndetësisë, në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-120 për Ushqim, do të përcaktojë masat e mëtejshme lidhur me stabilimentin RKS-014 – ABRAZEN L.L.C. (Qumështorja VITA).
Sipas AUV-së, opinioni publik do të informohet për masat dhe zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë rast. /Lajmi.net/