AUV-i garanton për sigurinë ushqimore, pavarësisht bagëtive të sëmura
Më shumë se 260 bagëti në Kosovë kanë rezultuar pozitive për tuberkuloz dhe brucelozë këtë vit, duke ngritur shqetësime për sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik. Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) thonë se janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për kontrollin e këtyre sëmundjeve infektive, të cilat nuk kërcënojnë vetëm bagëtitë, por mund të…
Lajme
Më shumë se 260 bagëti në Kosovë kanë rezultuar pozitive për tuberkuloz dhe brucelozë këtë vit, duke ngritur shqetësime për sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik.
Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) thonë se janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme për kontrollin e këtyre sëmundjeve infektive, të cilat nuk kërcënojnë vetëm bagëtitë, por mund të transmetohen edhe te njerëzit.
Për pasojë, disa kafshë janë asgjësuar dhe disa të tjera pritet ta kenë të njëjtin fat, thotë Lamir Thaçi, zëdhënës në AUV.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai shpjegon se, këtë vit, Agjencia ka pasur në agjendë 1.695 ferma në të gjithë Kosovën, për të analizuar mbi 20.000 gjedhe.
“Pas aplikimit të testit dhe përfundimit të rezultateve, deri më tash, kanë rezultuar 42 raste me 264 gjedhe të infektuara”, thotë ai.
Pavarësisht kësaj, Thaçi siguron se nuk ka nevojë për t’u shqetësuar për sigurinë e produkteve me bazë shtazore, sepse AUV-i, siç thotë, e ka situatën nën kontroll.
Çka janë tuberkulozi dhe bruceloza dhe si përhapen?
Sipas Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve, tuberkulozi (bTB) është një sëmundje kronike bakteriale e kafshëve, që prek kafshë të buta dhe të egra, duke shkaktuar gjendje të përgjithshme sëmundjeje dhe ngordhje eventuale.
Sëmundja është ngjitëse mes kafshëve, ndërsa te njerëzit mund të transmetohet nga konsumimi i produkteve të pasterilizuara ose të paziera mirë, ose nëpërmjet kontaktit me inde të infektuara në thertore ose mishtore.
Ngjashëm, bruceloza është një sëmundje bakteriale, që prek kryesisht gjedhet, derrat, dhitë, delet dhe qentë.
Njerëzit, në përgjithësi, e marrin sëmundjen përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e infektuara.
Simptomat përfshijnë: kollë, ethe, djersitje dhe dhimbje gjoksi.
Në rast të infektimit, njerëzit duhet të marrin trajtim mjekësor, kryesisht me antibiotikë, për të mos kaluar në gjendje të rëndë.
Gjatë tetorit, AUV-i ka bërë disa njoftime në Facebook për asgjësimin e gjedheve që kanë rezultuar pozitive me këto sëmundje.
Megjithatë, nga komentet në rrjetet sociale, duket se disa qytetarë i kanë reduktuar produktet me origjinë shtazore.
Një prej tyre është Elvane Beqaj, e cila, duke folur për Radion Evropa e Lirë në Prishtinë, thotë se me mish furnizohet vetëm në një mishtore ku pronarin e ka të njohur.
“Dyshoj në cilësi dhe blej shumë pak produkte në dyqane. Edhe qumështin, kosin e djathin i blej në treg, ku i njoh fermerët”, tregon ajo.
A janë të sigurta ushqimet?
Për Thaçin, siguria ushqimore është në nivel. Ai thotë se jo vetëm produktet me origjinë shtazore, por të gjitha ushqimet që janë treg, konsiderohen të sigurta, pasi inspektorët bëjnë kontrolle të vazhdueshme të të gjithë operatorëve që merren me prodhimin e ushqimeve, përfshirë thertoret, mishtoret, qumështoret e të tjera.
“AUV-i vazhdon me ngritjen e kapaciteteve për rritjen e nivelit të sigurisë, si për mish, ashtu edhe për produkte të tjera shtazore”, thotë Thaçi.
Veterineri Bledion Rushiti, anëtar i Kryesisë në Odën e Veterinerëve të Kosovës, nuk beson se situata është shqetësuese.
“Fermerët janë të vetëdijesuar se kur kafshët janë pozitive me këto sëmundje, ata nuk e dërgojnë qumështin për përpunim në qumështore”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Valdet Gjinovci, profesor i Toksikologjisë së Ushqimit në Fakultetin e Bujqësisë në Mitrovicë, sugjeron qytetarët – për të qenë 100% të sigurt – që të mos i konsumojnë këto ushqime pa i përpunuar.
“Ata vetëm duhet ta ziejnë qumështin, kurse mishin ta përgatisin në temperaturë të lartë”, thotë Gjinovci për Radion Evropa e Lirë.
Ku groposen kafshët e infektuara?
Por, Jahir Krasniqi, një qytetar tjetër nga Prishtina ka edhe një shqetësim: ku groposen kafshët e infektuara?
“Institucionet duhet t’i informojnë qytetarët dhe t’i bindin se ato kafshë janë asgjësuar dhe ne jemi të sigurt të furnizohemi me produkte vendore”, thotë ai.
“Pse nuk po tregojnë se ku i kanë asgjësuar, saktësisht? Unë kam kujdes të shtuar në blerjen e këtyre produkteve, sidomos të mishit, sepse nuk di…”, thotë Krasniqi.
Duke iu përgjigjur këtyre shqetësimeve, Thaçi nga AUV-i thotë se të gjitha kafshët që rezultojnë pozitive me sëmundje, asgjësohen nga ekipe profesionale të kompanisë së kontraktuar.
I gjithë procesi, sipas tij, mbikëqyret nga inspektorët veterinarë të AUV-it dhe kafshët nuk lejohet të lëvizin nga ferma deri në momentin që të bëhet asgjësimi.
“Autoriteti, me ta marrë rezultatin, e vendos [kafshën e infektuar] në masë karantine. Pastaj, me hapa të shpejtë, me përgatitjen e kushteve teknike dhe caktimin e lokacioneve nga komunat, bëhet asgjësimi”, shpjegon Thaçi.
Me ligjin në Kosovë, mbetjet shtazore apo kafshët e ngordhura groposen në lokacione të përshtatshme, që nuk ndikojnë në ndotjen e tokës, ujit dhe ajrit.
Secila komunë e ka obligim që të caktojë një lokacion të sigurt, ku nuk ka rrezik potencial për përhapjen e sëmundjeve te njerëzit.
Sipas statistikave zyrtare, në Kosovë jetojnë rreth 500 mijë kafshë, përfshirë gjedhe, dele, dhi e derra.
Importi prej jashtë
Kosova edhe importon kafshë të gjalla dhe produkte me origjinë të kafshëve.
Sipas të dhënave të siguruara nga Dogana e Kosovës, vitin e kaluar, vlera financiare e këtyre produkteve të importuara ka qenë rreth 283 milionë euro.
Rreth 83 milionë euro ka qenë vetëm vlera e kafshëve të importuara për therje ose mbajtje.
Deri më tash këtë vit, janë importuar kafshë në vlerë prej më shumë se 72 milionë eurosh.
Importi i tyre bëhet kryesisht nga vendet e Bashkimit Evropian, si Kroacia, Hungaria, Gjermania, Çekia, Franca, por edhe nga ato të rajonit, si Maqedonia e Veriut.
Radio Evropa e Lirë nuk arriti të siguronte informacione nga institucionet e shtetit në Maqedoni të Veriut, por Rinisa Rexhepi, nga organizata “Amos Pet” në Shkup, tha se ky vend nuk ka të dhëna të sakta për numrin e kafshëve me tuberkuloz dhe brucelozë.
Nga informatat që ka kjo organizatë, në katër vjetët e fundit kanë qenë vetëm tri raste të qenve me brucelozë, të testuara nëpërmjet laboratorëve.
Sipas Rexhepit, numri mund të jetë edhe më i lartë se kaq, por prapëseprapë “në nivel minimal”.
Në Shqipëri, ndërkaq, ka pasur raporte për kafshë të infektuara dhe për kalimin e sëmundjes së tyre te njerëzit.
Ministria e Bujqësisë e këtij vendi nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se sa është numri i kafshëve të infektuara këtë vit.
Por, mediat atje raportuan për infektimin e së paku 11 qytetarëve nga sëmundjet e kafshëve.
Sipas Doganës së Kosovës, vendi nuk importon kafshë të gjalla nga Shqipëria, por importon produkte të qumështit. REL