Autori i “Ervehesë”, Qirezi: Nuk mund ta inskenoni dramën pa lejen time

Autori i dramës “Erveheja”, Ahmet Qirezi, ka reaguar ndaj drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agim Sopi. Ky i fundit duke folur në një intervistë për media, ka thënë se “Erveheja” do të riinskenohet, pa përmendur emrin e autorit Qirezi.

ShowBiz

01/02/2016 20:14

Sopi ka deklaruar se në 70-vjetorin e TKK-së dhe 50-vjetorin e “Ervehesë”, kjo e fundit do të rikthehet në skenë. “Do ta dizajnojmë një repertor kryesisht me tekstet më elitare të dramës shqiptare, dhe do ta riinskenojmë ‘Ervehenë’, e Muharrem Qenës”, ka thënë Sopi, pa e përmendur emrin e autorit të dramës, raporton lajmi.net

Qirezi në anën tjetër ka reaguar duke thënë se kjo deklaratë është keqinformim i publikut lidhur me autorësinë e “Ervehesë”. E kjo sipas tij, nuk është hera e parë.

“Këto lloj manipulimesh primitive kanë kohë që janë lansuar nga njerëz të caktuar të cilët janë përpjekur të fshijnë gjurmët që i kam lënë në dramaturgjinë dhe teatrin në Kosove duke u përpjekur që autorësinë e ‘Ervehesë’ ta bartin tek i ndjeri Muharrem Qena”, është shprehur Qirezi.

Ai shton se TKK, drejtori Sopi e askush tjetër, nuk mund ta tjetërsoj përkatësinë e tij mbi dramën “Erveheja”, e inskenuar në Teatrin Popullor Krahinor në regji të Muharrem Qenës më 1966 dhe në Teatrin e qytetit të Prizrenit në regji të Fetah Mehmetit më 1985.

“Dëshiroj t’ia përkujtoj opinionit publik në Kosovë, si dhe TKK-së se vënia në skenë e kësaj drame i nënshtrohet Ligjit mbi të drejtat e autorit dhe as TKK, e as ndonjë institucion tjetër privat apo publik, nuk do të mund ta vë në skenë ‘Ervehenë’ si dramë, pa lejen time si autor i saj”, ka deklaruar Qirezi. /lajmi.net