Auditori evidenton mangësi në projektin për ndërtimin e sheshit në Malishevë
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Efikasiteti në planifikimin dhe menaxhimin e projektit ‘Ndërtimi i sheshit së bashku me nënkalimet dhe parkingun nëntokësor në qytetin e Malishevës’”, për periudhën 2022 – mars 2025. Auditimi ka vlerësuar efikasitetin e komunës në planifikimin dhe menaxhimin e këtij projekti si dhe ndikimin i…

Lajme
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Efikasiteti në planifikimin dhe menaxhimin e projektit ‘Ndërtimi i sheshit së bashku me nënkalimet dhe parkingun nëntokësor në qytetin e Malishevës’”, për periudhën 2022 – mars 2025. Auditimi ka vlerësuar efikasitetin e komunës në planifikimin dhe menaxhimin e këtij projekti si dhe ndikimin i tij në zhvillimin urban dhe jetën e qytetarëve.
Sipas ZKA-së, rezultatet e auditimit tregojnë se Komuna e Malishevës nuk ka qenë efikase në planifikimin dhe menaxhimin e projektit të kontraktuar në vlerë 8.28 milionë euro. Kontrata e këtij Projekti ishte nënshkruar me mbështetje buxhetore prej 2.03 milionë euro dhe kishte filluar pa planifikim të detajuar, duke u përcjellë më pas më rritje të kostove. Përveç kontratës bazë Komuna e Malishevës kishte lidhur edhe aneks kontratë në vlerë mbi 800 mijë euro si dhe kostot të pritshme deri në përfundim të projektit janë rreth 500 mijë euro. Përveç kësaj janë ridestinuar rreth 520 mijë euro nga projekte tjera për të mundësuar ndërtimin e këtij projekti.
“Në procedurat e prokurimit për kontraktimin e kompanisë projektuese ka pasur mungesë të transparencës dhe trajtim jo të barabartë. Po ashtu janë evidentuar mospërputhje në mes çmimeve të vlerësuara dhe atyre të kontraktuara tek 226 pozicione nga gjithsej 802, ose 28% e tyre, ku çmimi i kontraktuar ishte deri në 1600% (në dy pozicione) më i lartë se ai i parashikuar”, thuhet në raport.
Sipas ZKA-së, kishte edhe dallime të theksuara mes sasive të parashikuara në projekt, të kontraktuara dhe atyre të realizuara në praktikë. Këto dallime janë vërejtur në 302 pozicione nga 802 sa kanë qenë gjithsej apo 37% e pozicioneve.
“Kontrata nuk ka pasur mbikëqyrje profesionale, duke bërë që sasia dhe cilësia e materialeve të pranuara të jetë e pa qartë. Kjo kishte ndodhur për shkak të mungesës së menaxhimit të kontratës për hartimin e projektit, si dhe mungesës së organit mbikëqyrës të pavarur gjatë realizimit të kontratës gjë që ka rezultuar në menaxhim dhe mbikëqyrje të dobët të saj”, thuhet në raport.
Më tej thuhet se mungesa e masave të nevojshme nga Komuna për menaxhimin dhe mbikëqyrjen adekuate të cilësisë së punimeve ka ndikuar që cilësia dhe siguria e projektit të rrezikohet.
Gjithashtu auditimit ka venë në pah se projekti nuk ishte i bazuar në një Plan Zhvillimor Urban, nuk ka pasur konsultime me qytetarët dhe palët e interesit, ndërsa lejet për ndërtim janë siguruar pas fillimit të punimeve.
Ndonëse projekti synon të kontribuojë në urbanizimin e qytetit, gjatë realizimit ka shkaktuar vështirësi në qarkullim e qytetarëve, zhvillimin e aktiviteteve të tyre dhe bizneseve përreth.
Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se mangësitë në planifikim, buxhetim dhe mbikëqyrje kanë ndikuar në efikasitetin, cilësinë dhe sigurinë e projektit “Ndërtimi i sheshit së bashku me nënkalime dhe parkingun nëntokësor në qytetin e Malishevës”.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë nëntë rekomandime për Komunën e Malishevës, me qëllim që të përmirësohet procesi i planifikimit dhe menaxhimit të projekteve kapitale.
Raportin e plotë të auditimit të performancës “Efikasiteti në planifikimin dhe menaxhimin e projektit ‘Ndërtimi i sheshit së bashku me nënkalimet dhe parkingun nëntokësor në qytetin e Malishevës’”, e gjeni këtu.