Auditimi i raporteve financiare të partive politike: mungesa e transparencës dhe llogaridhënies

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka organizuar Tryezën e Diskutimit me temën “Raportet e Audituara të Partive Politike në Kosovë: Çfarë shpërfaqën ato në lidhje me transparencën financiare të tyre?”. Në këtë tryezë ishin të pranishëm znj. Hykmete BAJRAMI – Kryetare e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Deputete, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Pal LEKAJ – Anëtar i komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Deputet, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK); si dhe Ylli BULESHKAJ– Zyra për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike, KQZ.

Lajme

26/11/2021 13:06

Në fillim të diskutimit GLPS theksoi se rezultatet e auditorit shpërfaqin një mungesë transparence dhe llogaridhënie. Fillimisht duhet të ceket se auditori ka mohuar opinionin për raportet financiare te disa subjekteve politike. Mohimi i opinionit rrjedh për shkak se subjekti politik nuk ka qenë në gjendje të sigurojë evidencën e nevojshme te auditimit për të pasur një bazë për një opinion. Me saktësisht, në raportet financiare të vitit 2020, nga 18 raporte në total, 9 prej tyre iu është mohuar opinioni; në raportet e vitit 2019 nga 22 raporte, 12 prej tyre iu është mohuar opinioni; në raportet e vitit 2018 nga 23 raporte te SP 14 prej tyre iu është mohuar opinioni. Ndërsa për raportet financiare te fushatës zgjedhore të vitit 2019 nga 16 raporte tëdorëzuara, 6 prej tyre iu është mohuar opinioni. Ky fakt vazhdon te jete tejet shqetësues sepse shpërfaq tendencën e partive politike për ti fshehur burimet financiare.

Sa i përket rezultateve te auditorit për raportet financiare te viteve 2018, 2019 dhe 2020, të gjeturat më shqetësuese për partitë më te mëdha te përfaqësuara ne kuvendin e Kosovës janë se në përgjithësi partitë nuk aplikojnë procedura të tenderimit që mundësojnë shfrytëzim më efikas, me kosto ekonomike dhe transparente të fondeve. Edhe pse shumica e partive e kanë të definuar në statut mundësinë e ushtrimit të kontrollit të brendshëm financiar dhe të drejtën e anëtarëve për t’u informuar për të gjitha të hyrat dhe shpenzimet, asnjëra nuk e praktikon ketë metodë.

Në këtë tryezë znj. Hykmete Bajrami theksoi se puna e auditorit ka qenë shumë voluminoze për shkak të mos-auditimit për tri vite radhazi. Ajo theksoi se nëse do të kishte auditim vit pas viti do të kishte përmirësim të dukshëm sa i përket transparencës së partive politike, sidomos të mjeteve që partitë i marrin nga Kuvendi i Kosovës përmes fondit të demokratizimit. Gjithashtu shtoi se të gjeturat e auditorit për raportet financiare janë shumë shqetësuese; në anën tjetër ajo rekomandoi që më mirë do të ishte qe auditimin ta bënte Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

Në kuadër të kësaj çështje edhe z.Lekaj theksoi se Zyra Kombëtare e Auditimit do të ishte më kompetente për auditimin e raporteve financiare të partive politike. Edhe pse për këtë nuk ka vendim definitiv, por për ketë do të duhej të shihen edhe storie te suksesit. Sa i përket draft ligjit për financimin e partive politike z.Lekaj theksoi se deputetë t janë në favor të ndryshimit të këtij ligji, që do e adresonte çështjen e transparencës së partive politike.

Ndërsa z. Ylli Buleshkaj, nga ZRCCP theksoi se raportet financiare të partive politike dorëzohen njëherë tek zyra për regjistrim dhe certifikim në kuadër të KQZ, dhe pastaj procedohen tek komisioni. Ai shtoi se të gjeturat janë shqetësuese dhe më shqetësues është fakti i mohimit të opinionit për disa parti politike.

GLPS bën thirrje që të shtyhet përpara draft-ligji për financimin e partive politike, i cili është përpiluar me komentet e komisionit te Venecias si dhe ato të shoqërisë civile. Sipas këtij draft ligji zyra për regjistrim dhe certifikim te partive politike përzgjedh auditorët përmes një konkursi te hapur publik. Pra, zyra sipas këtij draft ligji është totalisht përgjegjëse në lidhje me zgjedhjen e auditorëve. Gjithashtu, Zyra do të ishte zyre për regjistrim, kontroll financiar si dhe certifikim, dhe do të gëzonte pavarësi funksionale. Dhe personeli i zyrës do të përbëhej nga se paku 10 persona që nuk kanë pasur asnjëherë lidhje politike.  Që do të ishte ndryshe nga situata qe është tash, ku komisioni e hap tenderin për auditor, e shpeshherë mungon edhe vullneti politik për këtë çështje, pasi që të gjithë anëtarët e komisionit janë deputet të partive politike ne Kuvend. Përfundimisht, auditimi i raporteve financiare të partive politike duhet të ndodh çdo vit pa vonesa, pasi kjo është kërkese eksplicite edhe e Bashkimit Evropian por edhe e shoqërisë civile. Gjithashtu, qeveria do të duhej sa më shpejt që është e mundur ta shtyjë përpara draft ligjin për financimin e partive politike, që do të zgjidhte njëherë e përgjithmonë çështjen e mungesës së transparencës dhe llogaridhënies së partive politike. /Lajmi.net/