Athina do të kërkojë anëtarësimin e Malit të Zi në BE gjatë Presidencës së Këshillit në vitin 2027
Qeveria greke po shqyrton mënyra për të përshpejtuar pranimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian gjatë Presidencës së saj të Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2027, si pjesë e një strategjie më të gjerë për Ballkanin Perëndimor. Ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis po viziton Podgoricën të premten për të…
Lajme
Qeveria greke po shqyrton mënyra për të përshpejtuar pranimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian gjatë Presidencës së saj të Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2027, si pjesë e një strategjie më të gjerë për Ballkanin Perëndimor.
Ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis po viziton Podgoricën të premten për të diskutuar rrugën e Malit të Zi në BE me homologun e tij Ervin Ibrahimoviç dhe kryeministrin Milojko Spajiç.
Greqia do të marrë Presidencën e rradhës të Këshillit të BE-së në korrik 2027. Sipas burimeve qeveritare, qëllimi është të ndihmohet të paktën një vend i Ballkanit Perëndimor të bashkohet me BE-në.
Athina shpreson të ndërtojë mbi rolin kyç që luajti gjatë Presidencës së saj të BE-së në vitin 2003 në përgatitjen e zgjerimit më të madh të Unionit pas Luftës së Ftohtë, i cili u zhvillua vitin pasardhës. George Tzogopoulos, një bashkëpunëtor i lartë në Fondacionin Helenik për Politikën Evropiane dhe të Jashtme (ELIAMEP), tha për Euractiv se Greqia sheh një mundësi për të ringjallur trashëgiminë e saj të zgjerimit.
Zyrtarët në Athinë besojnë se Mali i Zi, i cili hapi negociatat e pranimit në vitin 2012, përfaqëson një kandidat më realist për anëtarësim sesa vendet e tjera që aspirojnë të bëhen pjesë e BE-së, si Serbia apo Shqipëria. Ata gjithashtu argumentojnë se popullsia e Malit të Zi prej rreth 600,000 banorësh do të sillte kosto relativisht të ulëta ekonomike dhe politike për Bashkimin.
Podgorica e ka quajtur nismën e saj të anëtarësimit “28 nga 28”, një premtim për t’u bërë shteti i 28-të anëtar i BE-së deri në vitin 2028. Në një intervistë me Euractiv të enjten, Ministrja e Çështjeve Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorceviç, tha se vendi nuk duhet të presë shumë më gjatë për anëtarësim të plotë.
Megjithatë, Athina po shqyrton mënyrat për të përshpejtuar afatin kohor dhe për të lehtësuar pranimin e Malit të Zi deri në fund të vitit 2027.
“Teorikisht, të gjithë bien dakord që rajoni i përket BE-së, por kur diskutimet kthehen në hapa praktikë, disa qeveri ngrenë pengesa, shpesh duke përmendur çështje teknike dhe shqetësime në lidhje me metodologjinë e pranimit”, tha një diplomat i BE-së për Euractiv.