Ata kanë fjalë kozmetike

Ramush Haradinaj në Deçan thotë se koha e AAK’së për ta qeverisur vendin po vjen. Ndërsa Steven Schook parashikon rritje qind për qind të votës për AAK’në me 3 nëntor.

Lajme

08/10/2013 13:28

Ramush Haradinaj ka kërkuar votën e bashkëvendësve të tij në Deçan për kandidatin e partisë së tij për Kryetar të Komunës, Rasim Selmanaj.

Lideri i AAK’së ka premtuar investime infrastrukturore për Deçanin ndërkohë që nuk e anashkaloi pritjen e tij që së shpejti ta drejtojë Qeverinë  e Kosovës.

“Koha e Aleancës po vjen, jo vetëm në Deçan, por në tërë vendin. Po vjen dita që të krijojmë një Qeveri që do bëjë zhvillimin e vendit”.

“Jam përkushtuar që të punojmë në secilin sektor veç e veç që të sjellim lajmin e mirë për Kosovën”.

“Kryetari Selmanaj përmendi disa projekte të realizuara, e unë po e përmendi vetëm një, Deçani do lidhet me autorrugë në drejtim të Pejës e Gjakovës. Kjo do t’u ndihmojë banorëve për zhvillim ekonomik, sepse është një rajon që ka shumë banorë dhe shumë lëvizje”.

“Ne do kryejmë shpejt investimet bazike, si ujësjellës, kanalizime, e rrugë, që të mos vonohemi në investimet serioze për të nisur një zhvillim ekonomik. Duke qenë kështu, ju ftojmë që me 3 nëntor të dilni të gjithë për të votuar, bashkërisht të arrijmë atë që duhet”.

“Fjalët e të tjerëve janë vetëm kozmetikë. Ne në këto zgjedhje do jemi fitues në shumë komuna annmbanë Kosovës”, tha Haradinaj.

Këshilltari amerikan i Haradinajt, Steven Schook, foli para deçanasve për rritje qind për qind të votave të AAK’së në këto zgjedhje, ndërsa Rasim Selmanaj numëroi projektet e realizuara deri më tani si dhe planet e Komunës nën drejtimin e tij, nëse rikonfirmohet për Kryetar më 3 nëntor.

“Ne vazhdojmë bashkë për të rritur dhe zhvilluar Deçanin, por dinamikat dhe projektet investive për të zhvilluar edhe më shumë Deçanin, do ndodhin edhe më shumë atëherë kur Qeverinë e vendit ta udhëheqë lideri ynë, Ramush Haradinaj”,  tha Rasim Selmanaj.